Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është hartuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe, sipas tij, nuk cenon as Kushtetutën e Kosovës dhe as detyrimet ndërkombëtare të vendit. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin në lexim të parë më 5 tetor, me 91 vota për, përcjell Kosova Post.
Në një reagim në Facebook, Gruda është ndalur veçanërisht te çështja nëse Dhomat e Specializuara në Hagë do ta zbatojnë ligjin e ri.
“Është ngritur me të drejtë një shqetësim: a do ta zbatojë Gjykata Speciale këtë ligj?”, ka shkruar Gruda.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara deri më tani kanë treguar se janë të gatshme të interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës në mënyrën e tyre, ndaj ai pret që të ketë kundërshtime edhe ndaj zbatimit të ligjit të ri.
“Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë? Po. Absolutisht po.”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës do ta gjejnë rrugën juridike dhe institucionale për të kërkuar zbatimin e ligjit.
“Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë”, thekson ai.
Gruda ka paralajmëruar se ligji mund të sjellë një përplasje juridike dhe institucionale ndërmjet Kosovës dhe Dhomave të Specializuara.
“Ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet. Jam i bindur se në fund Gjykata Speciale do të duhet ta zbatojë atë”, tha ai.
Duke shpjeguar argumentin e tij juridik, Gruda ka thënë se ndryshimet nuk prekin Kushtetutën, por specifikojnë me ligj juridiksionin e Dhomës së Specializuar Kushtetuese në Hagë.
Ai i është referuar Amendamentit nr. 24 dhe nenit 162 të Kushtetutës, duke theksuar se organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar rregullohen me Kushtetutë dhe me ligj të veçantë.
“Këto janë fjalët kyçe: ‘në përputhje me ligjin e veçantë’. Pra, vetë Kushtetuta ia lidh juridiksionin kësaj Dhome me ligjin e veçantë”, ka shkruar ai.
Sipas Grudës, ndryshimi i nenit 23 përcakton se Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë mund të shqyrtojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por nuk ka juridiksion për kontrollin e kushtetutshmërisë së vetë ligjit të ri.
“Pra, nuk ia kemi hequr Dhomës Kushtetuese funksionin e saj. Ajo vazhdon të kontrollojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e institucioneve të Speciales. Por ligji vendos një kufi të qartë”, ka thënë Gruda.
Ai pretendon se kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë.
“Kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053 mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë”, thekson ai.
Gruda ka përfunduar se ligji duhet të mbrohet në aspektin juridik, institucional dhe publik, ndërsa ka përsëritur bindjen e tij se institucionet e Kosovës do të mund të sigurojnë zbatimin e tij.
“Prandaj, ky ligj duhet të mbrohet juridikisht, institucionalisht dhe publikisht. Këtu do të jemi. Do ta mbrojmë dhe do t’i shohim efektet e tij”, tha ai.
Qëndrimet e Grudës vijnë pas miratimit në lexim të parë të projektligjit, i cili synon ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Vetë Kuvendi e ka paraqitur nismën si ndryshim që nuk synon zhbërjen e Speciales, por ndryshimin e kuadrit ligjor dhe të mandatit të saj.


























