Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka kujtuar dëshmorët nga Sllupi, Hereqi dhe Dujaka në 23 vjetorin e rënies së tyre, shkruan Kosova Post.
Haradinaj ka thënë se ky grup i luftëtarëve që ranë heroikisht ishte nga të parët që ktheheshin me armët e lirisë në përballje me armikun në kufirin me Shqipërinë.
“23 prilli i vitit 1998, është prej ditëve më të kobshme të Luftës Çlirimtare në Dukagjin. Grupi i luftëtarëve, prej grupeve të para që ktheheshin me armët e lirisë, do të binin heroikisht në përballje me armikun në kufirin që padrejtësisht ndante shqiptarët. Nga Sllupi, Astrit e Bekë Hadergjonaj, Bekim, Tahir e Xhemajl Mazrekaj, Beqë, Hajdar, Imer e Selman Lokaj. Nga Hereqi, Bekim, Sadik e Shefqet Alijaj, Gazmend Ramaj, Hajdar Thaçi, Hasan Tahiraj, Ukë Shabanaj, Skender Hajdaraj e Vehbi Asllanaj. Nga Dujaka, Blerim Jonuzaj e Veli Noci. Emrat e tyre, do të mbesin përherë në kujtimin tonë. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.