Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, në një konferencë për media pas nënshkrimi të konkretizimi të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin ka ritheksuar se kjo është një ditë historike për Kosovën.
Haradinaj-Stublla mes tjerash tregoi se Izraeli është shteti i 117 që njeh sovranitetin e Kosovës.
“Kosova sot po çan nyjat e bllokadës me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin – një moment ky siç e thash edhe më herët historik dhe i jashtëzakonshëm, i cili jo vetëm që e forcon subjektivitetin tonë ndërkombëtar por edhe rrëzon secilin argument për vendet mosnjohëse për të vazhduar me mosnjohjen e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës”.
Ministrja në detyrë mes tjerash tha se me njohjen e Izraelit ndalet edhe fushata agresive e Serbisë për çnjohje të pavarësisë së Kosovë.
“Me aktin e sotëm të vendosjes së këtyre marrëdhënieve diplomatike dhe konkretizimit të kësaj njohjeje Kosova thyen po ashtu edhe zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë për çnjohjen e Republikës së Kosovës dhe po krijojmë një terren dhe horizont të ri për njohjen universale”, tha Haradinaj-Stublla.
“Në këtë momentum të ri të krijuar të gjitha argumentet dhe faktet historike për Kosovën po e mundin secilin paragjykim dhe e demaskojnë secilin argument të kundërshtarëve tonë që janë në dëm të shtetësisë tonë”.
“Ne duhet të jemi bashkë e njëzëri, t’i bashkojmë forcat dhe mendjet që të lartësojmë Republikën e Kosovës”, tha mes tjerash Haradinaj-Stublla.