Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen e një 80-vjeçareje në Prizren nga bashkëshorti i saj, teksa ka thënë se nevojiten masa urgjente për parandalimin e dhunës ndaj grave.
“Më tronditi lajmi për vrasjen e një gruaje 80-vjeçare në Prizren. Vetëm dy ditë më parë, një tjetër grua u vra, ndaj këto nuk mund të trajtohen si raste të izoluara. Mjaft më me vrasjen dhe dhunën ndaj grave! Jeta dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të mbrohen me çdo mjet”, ka shkruar ajo në Facebook.
Haxhiu ka kërkuar nga organet e drejtësisë hetim të plotë dhe të shpejtë, si dhe që autorët të marrin dënimin më të ashpër të paraparë me ligj.
“Çdo rast duhet të zbardhet deri në fund, por po aq e rëndësishme është që dhuna të njihet dhe të ndalet para se të përfundojë në vrasje. Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre”, ka vazhduar Haxhiu.


























