Në akademinë përkujtimore të mbajtur me rastin e trevjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Haxhiu tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës nuk ishte një incident i zakonshëm, por një aksion i përgatitur paraprakisht nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë.
Sipas saj, institucionet e Kosovës kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e grupit ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi, ndërsa një pjesë e madhe e armatimit dyshohet se kishte ardhur nga Serbia.
“Synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë së Kosovës, por shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë”, deklaroi Haxhiu.
Ajo vlerësoi se reagimi i Policisë së Kosovës kishte parandaluar marrjen nën kontroll të territorit në veri dhe kishte penguar realizimin e këtij synimi.
Haxhiu kujtoi edhe momentet e para të sulmit, kur Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës pas raportimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë.
Sipas rrëfimit të saj, kur policët arritën te bllokada, Bunjaku nuk lejoi kolegët më të rinj të dilnin të parët, por mori vetë pozicionin në krye. Në atë moment shpërtheu një mjet eksploziv, duke plagosur Bunjakun dhe policin Alban Rashiti. Më pas, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u hap zjarr.
Nën të shtëna, polici Mirsad Kryeziu arriti ta tërhiqte Bunjakun nga vendi ku kishte mbetur i plagosur. Rreshteri Afrim Bunjaku ndërroi jetë në krye të detyrës.
“Afrim Bunjaku ra atë mëngjes në krye të detyrës, por plani për të cilin ishte përgatitur ai sulm dështoi”, tha Haxhiu.
Në fjalimin e saj, Haxhiu iu referua edhe procesit gjyqësor për rastin e Banjskës. Ajo tha se në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtorë në shkallë të parë tre prej të akuzuarve, me dy prej tyre të dënuar me burgim të përjetshëm dhe një me 30 vjet burgim.
Haxhiu kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për dorëzimin e personave të kërkuar nga autoritetet e Kosovës në mënyrë që të përballen me drejtësinë.
Ajo përmendi edhe Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi si person përgjegjës për organizimin e sulmit dhe tha se ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
“Përgjegjësia nuk përfundon me tri dënime”, tha Haxhiu, duke përsëritur kërkesën e institucioneve të Kosovës për ndjekjen penale të të gjithë personave të dyshuar për përfshirje në sulm.
Në akademinë përkujtimore u vendos edhe gurthemeli i memorialit që do të ndërtohet në vendin ku Afrim Bunjaku humbi jetën.
Haxhiu tha se memoriali do të shërbejë për ruajtjen e kujtimit për rreshterin Bunjaku dhe për dokumentimin e ngjarjeve të 24 shtatorit 2023.
“Afrim Bunjakun Kosova e kujton si policin që doli përpara kur Republika u sulmua dhe që ra duke mbrojtur vendin e vet”, deklaroi ajo.
Në përfundim të fjalimit, Haxhiu nderoi kujtimin e rreshterit të Policisë së Kosovës me fjalët: “Lavdi heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”
“Më 24 shtator të vitit 2023, në orët e para të mëngjesit, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës, pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë.
Ajo që i priste atje nuk ishte thjesht një incident i zakonshëm policor, por ishte një sulm terrorist i përgatitur paraprakisht nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë me eksploziv, automjete të blinduara dhe sasi të mëdha municioni.
Institucionet tona kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi, dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë.
Synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë së Kosovës, por shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Këtë synim e ka konstatuar këtë vit edhe Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit në rastin Banjska.
Afrim Bunjaku kishte 22 vjet përvojë në Policinë e Kosovës dhe 16 vjet si rreshter. Kur arritën te bllokada, ai nuk i la policët më të rinj të shkonin përpara, doli vetë i pari.
Në atë moment shpërtheu një mjet eksploziv. Afrimi dhe polici Alban Rashiti u plagosën, ndërsa menjëherë më pas ndaj policëve u hap zjarr. Nën të shtëna, Mirsad Kryeziu arriti ta tërhiqte Afrimin nga vendi ku kishte mbetur i plagosur.
Afrim Bunjaku ra atë mëngjes në krye të detyrës, por plani për të cilin ishte përgatitur ai sulm dështoi. Kolegët e tij vazhduan operacionin, Policia e Kosovës e mori situatën nën kontroll dhe e pengoi grupin e armatosur që të merrte nën kontroll territor në veri të vendit. Përpjekja për shkëputjen dhe anësimin e veriut dështoi falë guximit, falë profesionalizmit dhe falë vendosmërisë së Policisë së Kosovës.
24 shtatori është dita kur humbëm Afrim Bunjakun në krye të detyrës, por është edhe dita kur institucionet e Republikës së Kosovës i dolën zot vendit. Me guximin dhe vendosmërinë e policisë dështoi plani i Serbisë për shkëputjen e veriut dhe aneksimin e tij. Përkundër sulmit terrorist, integriteti me mbetur i pacenuar, Kosova mbeti e tërë dhe e pandarë.
Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë në shkallë të parë tre prej të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë: dy u dënuan me burgim të përjetshëm dhe i treti me 30 vjet burgim.
Prandaj edhe sot i bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët në Republikën e Kosovës në mënyrë që të përballen me drejtësinë. Sepse përgjegjësia nuk përfundon me tri dënime; kryeterroristi Milan Radojiçiq, pra personi përgjegjës për organizimin e sulmit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi bashkë me të tjerët e akuzuar. Kosova vazhdon të kërkojë që ata të përballen me drejtësinë.
Sot është vendosur edhe gurthemeli i memorialit që do të ngrihet aty ku Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës. Ai vend do të ruajë kujtimin e Afrimit, por edhe të vërtetën për sulmin e 24 shtatorit.
Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, atë ditë nuk mbrojtët vetëm kolegët tuaj, mbrojtët territorin e Republikës, rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve. Me reagimin tuaj u ndal një plan që synonte të ndryshonte me armë gjendjen në veri të vendit. Për këtë, mirënjohja i takon Afrim Bunjakut dhe secilit prej jush që ishte në detyrë atë ditë e që vazhdon t’i shërbejë vendit me dinjitet.
E nderuar familje Bunjaku, Afrim Bunjakun Kosova e kujton si policin që doli përpara kur Republika u sulmua dhe që ra duke mbrojtur vendin e vet. Më 24 shtator 2023 u bë përpjekje për ta shkëputur veriun e Kosovës dhe për ta cenuar tërësinë territoriale të vendit, por ajo përpjekje dështoi; institucionet e Republikës vepruan, Policia e Kosovës i doli zot vendit. Afrim Bunjaku ra duke i dalë pikërisht zot vendit të tij.
Lavdi heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”


























