Ide të mëdha për zhvillimin e qendrës së skijimit në Brezovicë kishte pasur Qeveria e Kosovës në prill të vitit 2015 kur nënshkroi një kontratë me konsorciumin francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes” për t’ia dhënë me koncesion për 99 vjet Brezovicën.
Planifikoheshin 410 milionë euro investime. Por, kjo përpjekje dështoi në vitin 2016 kur ky konsorcium, dështoi t’i siguronte paratë për investime qysh në fazën e parë.
Nga viti 1999 qendra e skijimit u menaxhua nga ato që institucionet i quajtën ‘struktura paralele’ e që kryesisht ishin serbë lokalë nga Komuna e Shtërpcës.
Por, çfarë është Brezovica sot dhe çfarë ka mbetur nga hotelet që në vitet ’80-’90, joshnin mijëra vizitorë?!
Hotel Molika është prej objekteve në kuadër të Qendrës së Skijimit në Brezovicë. Është ndërtuar në vitet ’80 dhe gjendet shumë pranë pistës së skijimit. Dikur ishte hotel i kategorisë B dhe mbante tre yje.
Objekti është i vjetruar nga jashtë, e i shkatërruar brenda. Radio Evropa e Lirë ka hyrë në këtë hotel që aktualisht nuk ofron ndonjë shërbim.
Këtu përpos rojeve nuk gjendet njeri.
Korridoret janë në terr, ashensorët jofunksionalë dhe në recepsion nuk shërben askush.
Kjo është sallë argëtimi, porse në të gjendet vetëm një tabelë e vjetër pingpongu, një tavolinë e bilardos, ulëse të ndotura e tepihë të shqyer.
Sipas të dhënave në faqen e Qendrës së Skijimit në Brezovicë në këtë hotel nuk është investuar asnjëherë që nga fillimi i viteve ’90.
Shumë pranë hotelit Molika është i vendosur teleferiku. Derisa në vendet e rajonit, në qendrat e skijimit janë instaluar teleferikë të rinj, në Brezovicë, mbetet i njëjti si në vitet ’90.
Në të, nuk janë bërë investime përpos riparimeve të herëpashershme.
Sezoni i skijimit në Brezovicë hapet zakonisht në mes të muajit dhjetor por këtë vit, teleferiku është vënë në funksion vetëm më 16 janar 2022, kur kishte kaluar një pjesë e konsiderueshme e sezonit të skijimit.
Rreth 9.5 kilometra larg pistës së skijimit gjendet hoteli tjetër Junior që është në kuadër të qendrës turistike të Brezovicës.
Ky hotel në vitet e 90-ta ka shërbyer për të akomoduar turistët.
Këtu, aktualisht nuk ka as roje të objektit.
Në hyrje, pranë karrigeve të shqyera ka mbetur vetëm lista në të cilën nënshkruhen rojet.
Në dyert e hotelit Junior, janë të ngjitura afishe politike me fotografinë e politikanit ultranacionalist serb, Vojsllav Sheshel.
Narcis, më shumë i mbyllur se në ofrim të shërbimeve
Hoteli Narcis është një prej hoteleve më të mëdha në Brezovicë.
Ky hotel që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 është menaxhuar nga struktura që nuk i kanë njohur institucionet e Kosovës.
Deri vonë këtu kanë qëndruar turistë të ndryshëm kryesisht nga Serbia që kanë ardhur për të kaluar disa ditë qëndrimi në Brezovicë, si dhe janë zhvilluar organizime të ndryshme.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë nuk është lejuar që të futet brenda objektit për të fotografuar hapësirat.
Një roje e objektit ka thënë se nuk është i lejuar fotografimi e as xhirimi, si brenda ashtu edhe jashtë hotel Narcisit.
Përveç këtyre hoteleve dhe teleferikut e skilifteve, qendra e skijimit në Brezovicë përfshin edhe objekte të tjera që nuk janë funksionale.
Brezovica prej përfundimit të luftës është menaxhuar nga struktura serbe që nuk kanë bashkëpunuar me institucionet e Kosovës. Serbia ka luftuar me çdo kusht që ta ketë në pronësi këtë qendër të skijimit, ndërkohë që Kosova ligjërisht ka thënë se i takon pronësia mbi të.
Agjencia e Privatizimit e Kosovës(AKP), ka njoftuar më 13 janar 2022 se ka emëruar Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues të Ndërmarrjes Shoqërore “Inex Sharr Planina Brezovicë” dhe se kjo ndërmarrje me vendim të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, dhjetorin e vitit 2020 ishte futur nën administrim direkt të AKP-së.