Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e sotme të Kuvendit ka folur pë situatën energjetike dhe ekonomike në vend, ndërsa ka prezantuar tri masa në seancën e sotme, të cilat sipas tij, do ta ndihmonin Kosovën, transmeton Kosova Post.
Ai tha se jeta e qytetarëve është vështirësuar nga kriza energjetike, kriza e çmimeve dhe pasiguria e përgjithshme globale që u krijua nga lufta në Ukrainë.
“Për shkak të këtyre problemeve, të gjithë indikatorët tregojnë se jeta e qytetarët është vështirësuar, u janë rritur kostot e jetesës nga 150 deri në 200 euro për muaj”.
Hoti ka theksuar se ‘Kriza energjetike e dimrit që po e lëmë pas, kriza e çmimeve që po thellohet çdo ditë dhe pasiguria globale nga lufta në Ukrainë tregojnë se është e pashmangshme që pakot e mbështetjes për qytetarë gjatë këtij viti të jenë sikur gjatë pandemisë. Vonesat në këtë drejtim do e shtojnë barrën për familjet”.
Tutje ka shtuar Hoti se ‘Sipas vlerësimeve të përgjithshme, çdo familjeje i janë zvogëluar të ardhurat reale me rreth 150-200 euro në muaj. Kjo nënkupton se për të mbajtur konsumin e njëjtë, çdo familje ka nevojë për të ardhura shtesë prej 150-200 euro’.
Ai më pas prezamntoi tri masat të cilat sipas tij do ta ndihmonin qytetarin dhe vetë shtetin.
(i) Masa e parë është indeksimi i pensioneve dhe ndihmave sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, që nënkupton rritjen e tyre për aq sa janë rritur çmimet e produkteve ushqimore bazike. Kjo masë i prekë të gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare, si dhe të tjerë që marrin çfarëdo asistence nga shteti.
(ii) Masa e dytë është rritja e subvencioneve në bujqësi për shkak të rritjes tej mase të çmimit të farërave, plehrave dhe inputeve të tjera për bujqësi. Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësorë.
(iii) Masa e tretë është rritja e menjëhershme e pagës minimale sipas një indeksi që merr parasysh koston e jetesës, si dhe rritjen e pagave në sektorin publik gjithashtu bazuar në një indeksim për koston e jetesës. Këtu nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shume më të vogël sesa ajo që është propozuar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve për sigurinë e të ardhurave për pensionistët e ardhshëm. Kjo masë prek të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat.