Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se në Stacioni Policor në Malishevë, rreth orës 02:30 të datës 03.08.2021 është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF), se një person i gjinisë mashkullore (viti i lindjes 1957), është sjellë pa shenja jete nga familjarët në këtë institucion shëndetësor.
“Njësitet relevante policore (patrulla dhe hetuesia), i janë përgjigjur rastit. Sipas deklaratave të familjarëve, dyshohet se viktima diku rreth orës 01:00 pas mesnate më datë (03.08.2021) ishte zgjuar dhe kishte shkuar tek shtalla e tij e cila ishte përfshirë nga zjarri, më 02.08.2021, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo nëse është riaktivizuar. Familjarët e kishin gjetur viktimën rreth një orë më vonë dhe e kishin dërguar në QKMF”, thuhet në komunikatën e policisë.
Sipas policisë, më 02.08.2021 si pasojë e zjarrit ishte djegur një pjesë e shtallës së tij, e cila dyshohet të jetë djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtra në rrjet elektrik shkaku i erërave të forta. Zjarri ishte shuar nga zjarrfikësit në të njëjtën ditë rreth orës 19:00, pra më datë 02.08.2021.
“Dyshimet e mjekut kujdestar janë se i njëjti mund të jetë ngulfatur/asfiksuar nga tymi i shtallës e cila edhe pse zjarri ishte shuar ende tymonte. Pas konsultimeve me prokurorin e shtetit rasti është kualifikuar si ‘hetim i vdekjes’, për hetim të rastit janë angazhuar hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale Gjakovë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet tutje nga policia.