Kryetari i Fondacionit të Ndihmës Humanitare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH), Bülent Yıldırım tha se të premten do të nisin një marshim drejt bazës ajrore amerikane Incirlik në Adana për të garantuar një armëpushim midis Izraelit dhe Palestinës, raporton Anadolu.
Në konferencën për media të quajtur “Karvani i Lirisë për Palestinën” në selinë e fondacionit në Fatih, Yıldırım tregoi një hartë që tregon praninë ushtarake amerikane në botë dhe tha se kjo ishte harta e pushtimit të Türkiyes dhe se SHBA-ja e kishte rrethuar plotësisht Türkiyen për ta pushtuar atë.
Ai tha se çështja aktuale nuk është Palestina por pushtimi i botës. “Çështja është pushtimi i botës. Kjo periudhë është fillimi i luftës çlirimtare të Amerikës, Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe të shteteve evropiane të cilat janë të pushtuara nga sionistët”, tha Yıldırım.
Duke u bërë thirrje popujve të Evropës dhe SHBA-së, Yıldırım tha: “Sionizmi ju ka pushtuar. Ata nuk po hedhin bomba vetëm mbi Palestinën, ata po ju shfrytëzojnë edhe juve. Toka që sionizmi pushton më shumë është toka ku jeton populli i Amerikës. Populli i Amerikës, që kanë mendime të lira. Ngrihuni dhe kërkoni të drejtat tuaja”.
Yıldırım i bëri thirrje popullit izraelit të largojë nga pushteti kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, duke deklaruar se Lufta e Tretë Botërore po afrohet dhe se popujt duhet të ngrihen për ta ndaluar këtë.
“Nëse do të heshtni për vdekjen e këtyre fëmijëve, e njëjta gjë do të ndodhë me fëmijët tanë”
Yıldırım tha se do të nisin marshimin drejt bazës ajrore Incirlik në Adana të premten. “Ne do të shkojmë drejt bazës ajrore Incirlik me qindra mijëra njerëz. Populli turk, ngrihuni, nisuni mijëra njerëz. Mos qëndroni në shtëpitë tuaja, mos u shtrini, mos flini. Fëmijët po vdesin. Nëse heshtni për vdekjen e këtyre fëmijëve, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me fëmijët tanë”, tha ai.
Sipas tij, çdo person i mëshirshëm, besimtar apo jobesimtar, duhet të reagojë kundër luftës.
“Ne jemi me të gjithë ju kundër sionistëve. Nëse ju vjen shtypja, ne do të qëndrojmë kundër saj, pa diskriminim fetar, gjuhe apo race. Tani do të qëndroni pranë popullit palestinez pa bërë këtë dallim. Por, nuk mjafton t’i thuash stop Izraelit. Netanyahu nuk do të ndalet. Sepse Netanyahu tashmë është Hitler. Ai dëshiron Luftën e Tretë Botërore. Shefi i Hitlerit janë administratorët amerikanë. Ndaj do të ecim në këmbë deri në bazën e Incirlikut. Nga çdo pjesë e Türkiyes, nga çdo rreth, lagje, me automjete dhe autobusë. Nëse nuk mund të vini, paguani autobusin dhe dërgoni njerëzit atje. Le ta rrethojmë bazën e Incirlikut”, tha Yıldırım.
“Të fryjmë sërish erën e brezit të 86-ës”
Yıldırım tha se do të nisen nga Istanbuli të premten më 3 nëntor dhe se do të vizitojnë qytete si Adapazarı, Ankara dhe Konya, do të mbajnë konferenca për media atje dhe se nëse nuk ka armëpushim, të gjithë njerëzit e botës do të marshojnë kundër bazave amerikane.
Ai falënderoi ata që morën masa për të ndalur luftën në vende të ndryshme të botës. “Të fryjmë sërish erën e brezit të 86-ës. Le të shpallim përsëri vëllazërinë tonë si popuj. Le të ndërmarrim veprime së bashku kundër sionizmit dhe imperializmit përsëri. Kush është koka e sionizmit?. Janë ata që aktualisht pushtojnë Amerikën. Por, sa e shoh ka edhe nga ata që pushtuan Evropën”, potencoi Yıldırım.
Thirrje për hapjen e një korridori të ndihmës humanitare
Yıldırım deklaroi se do të zhvillojnë protesta në të gjithë Türkiyen dhe se 32 mijë ndërtesa janë shembur si pasojë e bombardimeve izraelite në Palestinë dhe nuk mund të zhvillohen përpjekjet e kërkim-shpëtimit.
Ai thekson se duhet të shpallet armëpushim në Palestinë dhe të hapet urgjentisht një korridor për ndihma humanitare. “Nëse korridori nuk hapet, do të ftojmë aktivistë nga e gjithë bota në Egjipt në ditët në vijim dhe do të organizojnë anijet që do të sjellin ndihma humanitare në Palestinë”, tha Yıldırım.
Në vazhdim, Yıldırım i bëri thirrje Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes. “Vendosni një agjendë në Parlament për mbylljen e Incirlikut dhe Kürecikut. Kushdo që e sjell këtë në rend dite dhe voton pozitivisht do të shkruhet në faqen e lavdishme të historisë. Ata do të bombardojnë spitalet që kemi ndërtuar. Do të na frikësojnë, e ne do ta lëmë Incirlikun të hapur?. Nuk do të ndodh një gjë e tillë”, u shpreh ai.
Yıldırım tha se tani e tutje do të mbrojnë “Palestinën jetime” me një shenjë fitoreje.
“Me këtë shenjë ju ftoj të gjithëve në marshimin tonë për t’i kërkuar Parlamentit të marrë një vendim në lidhje me Incirlikun nëse nuk ka armëpushim. Njerëzit e lirë të Amerikës do t’ju kundërshtojnë. Ka vetëm një fuqi për ta ndalur këtë. Kjo do të thotë të ushtrosh presion mbi Netanyahun. Nëse nuk e bëni këtë, edhe Incirliku do ju ikë nga dora, edhe Küreciku, dhe të gjitha bazat tuaja në rruzullin tokësor do të rrethohen nga njerëz”, tha ai.