Infermierja me origjinë nga Kosova, Nazlie Selimaj, e cila banon në Aaragau të Zvicrës, është kthyer në heroinë pasi ka shpëtuar një fëmijë 4-vjeçar nga mbytja në një pishinë.
Siç raporton mediumi Blick, Selimaj ka ndërhyrë shpejtë pasi ka parë se vogëlushi ishte pa ndjenja dhe ka pasur nevojë urgjente për ndihmë.
Ajo ka rrëfyer gjithë ngjarjen në detaje, duke thënë se atë ditë ajo po qëndronte në atë pishinë bashkë me familjarët e saj, kur pa se fëmija ishte në rrezik për jetën.
“Ishim shumë të lumtur që po kalonim ditën me diell në pishinë. Por më pas, pak para orës 17:00, teksa po shijonim akulloret, burri im ka parë një person duke vrapuar në pishinë për të nxjerrë djalin e tij nga uji. Më pas ai po e mbante të birin të pafuqishëm në krahë”, ka thënë Selimaj për Blick.
Sipas saj, me të parë se djali ishte pa ndjenja, ka vrapuar menjëherë dhe ia ka dhënë ndihmën e parë.
“E kapa djalin nga pas nënsqetulla. Më pas e shtriva në tokë sepse nuk ia gjeta pulsin dhe ia masazhova zemrën me një dorë”, ka thënë ajo.
“Në atë moment, babait të fëmijës i ka rënë të fikët. Aty ka qenë edhe nëna e djalit. Ndërkohë që babait iu kthye vetëdija, ua ktheva edhe fëmijën atyre. Unë kisha një ndjenjë të turbullt. Djali ishte shumë i zbehtë dhe gishtat e tij ishin ngjyrë të kaltër”, ka thënë Selimaj.