Inspektorati Policor i Kosovës, njofton se ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri, përcjell KosovaPost.
“Inspektorati Policor i Kosovës, se disa ditë më herët ka filluar sipas detyrës zyrtare një hetim paraprak me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe sqarimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante që lidhen me rastin rreth veprimeve policore gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut. Hetimet e IPK-së kanë filluar bazuar në raportimet mediale dhe deklaratat publike të datës 11 gusht 2026 lidhur me pretendimet nga qytetari me inicialet N. R ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për tejkalim të autorizimeve policore”, njofton IPK.
Sipas IPK-së, në kuadër të këtij hetimi, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” .
“Departamenti i Hetimeve në IPK do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë”, njofton IPK.


























