Jeta në Corvo është rikthyer në normalitet tani që pothuajse e gjithë popullata prej 400 banorë janë vaksinuar vullnetarisht. Ndërsa pjesa tjetër e botës lufton me pandeminë e koronavirusit, banorët e ishullit Portugez mund të takohen në kafene, bare dhe restorante.
Shkollat janë gjithashtu të hapura dhe përdorimi i maskave në ambiente të hapura nuk është më i detyrueshëm.
I goditur nga moti i Atlantikut të Veriut dhe me një klimë tepër të ftohtë Corvo tashmë është një aset thelbësor në luftën kundër pandemisë së koronavirusit. I ndodhur qindra kilometra larg territorit evropian, ishulli shpëtoi pothuajse i padëmtuar nga pandemia.
Me vetëm një ventilator në ishull dhe pa shtretër spitalor fare, një shpërthim i COVID-19 mund të ishte shkatërrues.
“E vetmja rrugë ishte vaksinimi i të gjithë popullsisë për të krijuar një territor të imunizuar,” tha Clelio Meneses, zyrtari vendas i shëndetësisë.
“Përhapja do të kishte qenë katastrofike dhe shumë e shpejtë,” tha kryetari i bashkisë së Corvo, Jose Manuel Silva, i cili kujtoi se disa nga zgjedhësit e tij donin që ishulli të mbyllej. “Ne kemi vetëm një furrë buke, prandaj në mënyrë të pashmangshme të gjithë shkojmë në të njëjtat vende”.
Sidoqoftë, ishulli ka pak burime të ardhurash, një flotë e vogël barkash peshkimi dhe një tufë prej rreth 1.000 bagëti të cilat përbëjnë ekonominë bujqësore.
Turizmi siguron jetesë për disa, por pandemia e ka vrarë atë rrjedhë të të ardhurave dhe e ka lënë ishullin veçanërisht të varur nga ndihma e jashtme. (Euronews)