Ndërmarrja publike ‘Trepça’ ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Në vendimin që ka siguruar RTK, e që është nënshkruar nga kryeshefi i ri i kësaj ndërmarrje, Faton Ahmeti thuhet se kjo është bërë për shkak të mungesës së aktivitetit nga data 10 korrik deri më 15 gusht të këtij viti.
Sipas menaxhmentit, gjatë kësaj periudhe ndërmarrja ka pësuar humbje të mëdha ditore në prodhim.
“Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stan Tërg dhe njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishinicë dhe Artanë për realizimin e planit të biznesit për sasinë e koncentratit të humbur për ditët e grevës”, thuhet në vendim.
Pika 3 e këtij vendimi ua ka pezulluar punëtorëve pushimet vjetore të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor 2024.