Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, nuk ishte ftuar në Izrael, konfirmoi zëdhënësi i tij, Peter Stano, duke theksuar se megjithatë blloku evropian nuk ishte informuar për ndonjë ndalim zyrtar që do të pengonte vizitën e tij, transmeton Anadolu.
“Nuk mund të pengohesh për vizitë nëse nuk je ftuar”, tha Stano në një konferencë për media në zyrat e Komisionit Evropian.
Komentet e tij i referoheshin raporteve të mediave izraelite lidhur me një kërkesë të refuzuar të Borrell-it për të realizuar një vizitë zyrtare në Izrael.
Sipas raporteve, qeveria izraelite vazhdimisht e ka refuzuar takimin për shkak të kritikave të Borrell-it ndaj politikave izraelite kundër palestinezëve.
Stano theksoi se BE-ja “nuk është në dijeni të ndonjë ndalimi apo vendimi nga autoritetet zyrtare izraelite që nuk lejojnë” Borrell-in të vizitojë Izraelin.
Më tej, Stano po ashtu shpjegoi se kritikat e Borrell-it ndaj politikës së vendbanimeve të paligjshme të Izraelit dhe paralajmërimeve për veprime jo proporcionale ushtarake kundër palestinezëve pasqyrojnë qëndrimin e 27 vendeve anëtare të BE-së.
Dje, në një fjalim në Parlamentin Evropian, Borrell theksoi se dhuna në territoret e pushtuara palestineze ka arritur një “nivel të paparë”.
Ai tha se politika e Izraelit për vendbanimet është e paligjshme, si dhe theksoi se “nuk është anti-izraelite të thuhet kështu”.
Borrell po ashtu përsëriti deklaratën e tij të lëshuar javën e kaluar në emër të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe u kërkoi të dy palëve që të de-përshkallëzojnë situatën.
Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsi Lindor, sipas ligjit ndërkombëtar konsiderohet si territor i pushtuar, kështu duke i bërë të paligjshme të gjitha vendbanimet hebraike atje.
Ashtu si Türkiye dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, edhe BE-ja nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi territoret që ka pushtuar që nga viti 1967.
Që nga viti 2011, BE-ja i ka bërë thirrje vazhdimisht Izraelit që t’u japë fund të gjitha aktiviteteve të vendbanimeve dhe të largojë ato ekzistuese.