Junta ushtarake që kreu grushtin e shtetit më 26 korrik në Niger, njoftoi se do të sulmojnë një nga vendet anëtare nëse Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) kryen operacion ushtarak ndaj Nigerit, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i “Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP)” Amadou Abdramane, lexoi një deklaratë të re në televizionin shtetëror. Në deklaratë u njoftua përfundimi i detyrës për ambasadorët e Nigerit në Paris, Abuja, Lome dhe Washington.
Në deklaratë i bëhet thirrje popullatës që të jenë të kujdesshëm kundër spiunëve dhe ushtrive të vendeve të huaja dhe që çdo veprim i dyshuar të raportohet tek zyrtarët. Më tej vihet në dukje se janë shpërbërë të gjitha protokollet dhe bashkëpunimet ushtarake të nënshkruara me Francën.
Ndërkohë junta bëri kërcënim të ri kundër ECOWAS-it. Sipas deklaratës “Nëse ECOWAS-i kryen ndërhyrje ushtarake ndaj Nigerit, ne kryejmë sulm të menjëhershëm ndaj një prej vendeve anëtare me përjashtim të vendeve mike (Guine, Mali, Burkina Faso)”.
– Ngushtohet afati i dhënë ndaj juntës
Në një samit të jashtëzakonshëm që mbajti më 30 korrik ECOWAS-i i dha juntës në Niger afat një javor, për lirimin dhe rikthimin në detyrë të presidentit Mohamed Bazoum.
ECOWAS-i njoftoi se do të shqyrtojnë çdo alternativë, përfshirë ndërhyrjen ushtarake, në rast se kërkesat nuk përmbushen gjatë kësaj kohe. Mundësia e ndërhyrjes ushtarake, shkaktoi reagimin e qeverive të tjera të juntës në Afrikën Perëndimore.
Burkina Faso dhe Mali të cilat kanë ushtarakë në qeveritë e tyre, paralajmëruan ECOWAS-in përmes një deklaratë të përbashkët se ndërhyrja e mundshme ushtarake ndaj Nigerit nënkupton shpalljen e luftës ndaj tyre. Po ashtu edhe Guineja bëri deklaratë në mbështetje të juntës.
Ndërsa Senegali, Bregu i Fildishtë, Benini dhe Nigeria njoftuan se do të mbështesin ndërhyrjen ushtarake të ECOWAS-it në të cilën janë anëtarë.
– Grushti i shtetit në Niger
Në Niger, presidenti Mohamed Bazoum u arrestua nga elementë të Regjimentit të Gardës Presidenciale më 26 korrik dhe atë mbrëmje ushtria njoftoi marrjen e pushtetit.
Gjenerali Abdurrahman (Omar) Tchiani, komandanti i Regjimentit të Gardës Presidenciale, më 28 korrik njoftoi marrjen e drejtimit të juntës së emërtuar Këshilli Kombëtar për Mbrojtjen e Atdheut (CNSP) dhe kalimin e tij në krye të qeverisë së përkohshme.