Tensionet pas vendosjes së masave të reciprocitetit karshi Serbisë, nga ana e Republikës së Kosovës, e kanë bërë bashkë spektrin politik kosovar, transmeton Kosova Post.
Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, pritet t’i takojë liderët opozitarë, mu për këtë shkak.
Edhe ashtu disa prej tyre, kanë kërkuar me emergjencë që t’i shqyrtojnë këto çështje të ndërliqshme, ndërsa bëhet fjalë për sigurinë në vend.
“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Serbia, ndërkaq, e ka cenuar edhe hapësirën ajrore të Kosovës, duke provokuar me avionë të shpejt MIG.
Zyrtarët nga Beogradi, ndërkaq, e kanë akuzuar Kosovën se është duke provokuar situatën.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq akuzoi Prishtinën zyrtare se “nuk po i përmbush obligimet e saj nga marrëveshja me Beogradin”.
“Ne kishim dy marrëveshje, nga 2011 dhe 2016. Këto janë 4 marrëveshje për lirinë e lëvizjes. Thelbi është se këto janë të ashtuquajturat tabela të KS, të cilat e zgjatën vlefshmërinë nga 2011 në 2016, dhe pastaj deri në vitin 2021. Detyrimi themelor i Prishtinës ishte formimi i asociacionit të komunave serbe”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme liderët e opozitës, të ftuar nga Kryeministri Kurti, pritet që ta mbështesin plotësisht për këtë çështje. Vlen të theksohet se nuk dihet me saktësi se kur do të mbahet kjo mbledhje./KosovaPost/