Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Uran Ismaili, dje në zyrat e Kuvendit të Kosovës, kanë takuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe U.D. të Presidentes, Vjosa Osmani.
Në takimin e ftuar për fillimin e konsultimeve me partitë politike rreth krijimit të institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Hoxhaj ka thënë se PDK është konstruktive dhe do të udhëhiqet nga disa parime të rëndësishme.
Sipas tij, në takim janë shtruar një mori parimesh për Kurtin e Osmanin, të cilat një president i ri i ardhshëm i Kosovës duhet t’i përfaqësojë.
“1. Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik. 2. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur? 3. Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?
Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi. 5. Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit? 6. I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina? 7. Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit? 8. Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?
Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë Qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar? 10. Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve”, thuhet në dhjetë kërkesat e PDK-së, drejtuar Kurtit dhe Osmanit.
E, lidhur më këto dhjetë kërkesat e PDK-së, “Bota sot”, ka provuar të marrë qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo, përkundër insistimit të gazetës këta të fundit nuk janë deklaruar.
Kurse, njohësit e çështjeve politike në vend, konsiderojnë se dhjetë pikat e Partisë Demokratike të Kosovës janë dëshmi se ku është katandisur kjo parti, e cila po paguan për gabimet e bëra.
Madje, ata janë të mendimit se këto dhjetë kërkesa janë kulmi i hipokrizisë dhe akt që shprehë dëshpërimin e thellë e të pafund të këtij njeriu, për humbjen katastrofale që PDK ka pësuar nën drejtimin e tij.
Mehmeti: E turpshme të kërkosh llogari nga tjetri, për gabimet që vet i ke bërë
Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dhjetë kërkesat e PDK-së janë dëshmia më e mirë se ku është katandisur kjo parti.
Mehmeti është i mendimit se të gjitha pikat janë gabime të krijuara nga PDK-ja, andaj ai konsideron se e gjithë kjo është një kërkesë e turpshme.
“10 pikat e Partisë Demokratike të Kosovës janë dëshmi se ku është katandisur kjo parti, e cila po paguan për gabimet e bëra. PDK-së i ka humbur rruga në oborr, në kërkim të shtegut nga agonia ku janë bërë edhe marrëzira të tilla. Është e turpshme të kërkosh llogari nga tjetri për gabimet që vet i ke bërë”, ka thënë Mehmeti, për “Bota sot”.
Mes tjerash, Mehmeti thekson se ky veprim nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës tregon se kjo parti do të jetë një opozitë qesharake.
“Me veprime të tilla PDK-ja po tregon se do të jetë një opozitë qesharake, duke ia zgjatur edhe më shumë pushtin Kurtit dhe Osmanit. PDK-ja është opozitë e dobët, nga e cila nuk “kërcënohet” dot pushteti i tandemit Albin Kurti-Vjosa Osmani. PDK-ja me 10 pikat e saja, krejtësisht qesharake, ka nevojë të reformohet para se të kërkoj nga tjerët llogari për gabimet e veta. Duket se i ka humb arsyeja, andaj veprimet e tilla s’kanë sens dhe si të tilla pasqyrojnë mjerimin që e ka kapluar partinë më të madhe opozitare”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.
Qarri: Turp, e kulmi i hipokrizisë
Ndërsa, njohësi i çwshtjeve politike, Gani Qarri, lidhur me kërkesat e fundit të PDK-së, ka thënë se kjo parti tregoi edhe njëherë se demagogjia e prijësve të Klanit Pronto nuk njeh fund as kufi.
“Nuk njeh fund as kufi, e dëshmoi edhe një herë prijësi aktual dhe personi i njohur formalisht si kryetar në detyrë i PDK-së, apo partisë më të inkriminuar tash e mbi 21 vite në Kosovë, demagogu i pështirë Enver Hoxhaj. Hoxhaj në fakt bënë sikur harron, se që nga ardhja e Thaçit në pushtet, ai i ka degjeneruar tërësisht, jo vetëm udhëheqësit e partisë së vet, por i ka komprometuar edhe udhëheqësit e partive tjera politike në Kosovë. Të gjithë udhëheqësi e partive të inkriminuara pothuajse pa asnjë përjashtim, i ka involvuar në tenderomani, korrupsion, hajni e krim të organizuar, i cili madje, e ka delegjitimuar edhe vet luftën e UÇK-së, duke mos mbrojtur asnjërin nga ushtarët dhe udhëheqësit e ndershëm të saj, me bindjen se ai vet do t’i shpëtoi çfarëdo akuze dhe cilitdo lloj të gjykimit”, shprehet ai.
Qarri ka përmendur edhe një deklaratë të kryetarit në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës dhënë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Pyetësori demagogjik i Hoxhajt, drejtuar fituesit të zgjedhjeve, bëhet edhe më banal, kur dihet se edhe sot, Hoxhaj akuzohet nga shumë anë, që nga Vjena e Austrisë deklaronte personalisht, se nëse fiton UÇK-ja në Kosovë, ai vet do të kërkonte azil në Beograd. Për aq më tepër, të gjithë shqiptarët e dinë, që nuk janë Albin Kurti as Vjosa Osmani, ata të cilët i falën mbi 8300 hektar tokë të Kosovës, Malit të Zi, ishte Thaçi & Co që qysh më 2009, i dhanë falas edhe FYROM-it, mbi 2500 hektar tokë të Kosovës në Debëllde me rrethinë, duke e futur edhe shtetin sllavomaqedon mbi 5 kilometra në brendësi të territorit të Kosovës. Ishte Thaçi dhe PDK që në vijimësi kërkuan ndarjen e shtetit të Kosovës duke paguar edhe firma të huaja për propagandimin e ndarjes së vendit tonë, gjë që është dëshmuar, se deri më tani, kërkesën për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës, kanë mundur ta bënin publikisht, vetëm njerëzit e PDK-së, si Thaçi & Co. Hashim Thaçi me 25 gusht të vitit 2018 në Forumin Ballkanik të mbajtur në Alpbach të Austrisë, kërkoi publikisht, para kamerave televizive evropiane edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës”, tha ai.
Tutje, analisti ka shtuar se ishte PDK-ja dhe Hashim Thaçi, që me vetëdije apo pa të, e krijoi edhe Gjykatën Speciale duke detyruar deputetët me të gjitha mënyrat e presionit që ta votonin atë, nga e cila tanimë ka kohë që është arrestuar edhe vet dhe konfrontuar me njërën nga aktakuzat më të rënda kundër tij, si krime lufte, e krime kundër njerëzimit dhe përgjegjësi për mbi 100 vrasje e plagosje të shqiptarëve të Kosovës, që pritet të trajtohen nga organet e kësaj gjykate, duke filluar nga gjysma e këtij viti.
“Ndërsa sikur të mos mjaftonte as kjo, vet këshilltarja e kuislingut Hashim Thaçi, Dhurata Hoxha anëtare e kryesisë së PDK-së dhe këshilltare edhe e ish kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i fundit i PDK-së, Kadri Veselit, nga posti i ministres së Integrimeve “Evropiane”, në Qeverinë e PAN-it, më 2018 ka lidhur kontratë ndërsa me 2019, ka përsëritur kontratën dhe me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës, ka paguar mbi 168 mijë euro, firmën franceze “Majorelle PR & Events” me seli në Paris, që të lobonte në Evropë dhe gjithë botën, për ndarjen e Kosovës. Ndaj ti parashtrohen kërkesa të tilla një partie të sapo votuar me mbi 50.28% nga populli i Kosovës, gjë që PDK dhe partitë tjera të inkriminuara mund vetëm ta ëndërrojnë, nga një drejtues në detyrë i një partie humbëse, e cila vet, e ka mizën pas veshit (si PDK) për të gjitha tradhtitë e mundshme ndaj Kosovës, kjo është vërtetë sjellje e paprecedent”, u shpreh Qarri.
Me tej, ai pyet se si ka mundësi që nga një figurë e tillë e dyshimtë si Enver Hoxhaj dhe në emër të një partie të kriminalizuar si PDK-ja, t’i parashtrohen pyetje kaq jo korrekte dhe tërësisht fajësuese, Albin Kurtit dhe Dr. Vjosa Osmanit.
“Athua ka përgjigje Enver Hoxhaj, qoftë edhe vetëm për njërën nga pyetjet e parashtruara jo shumë kohë më parë, nga vet botuesi i nderuar i kombëtares “Bota sot”, z. Xhevdet Mazrekaj, se si është e mundur që një bashkëpunëtor i Serbisë, si Baton Haxhiu i cili deri dje ka spiunuar për ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë Ivica Stanishiqin, sot ta mbrojë ish drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçin. Pastaj si ka mundësi që kuislingu Hashim Thaçi qysh nga marrja e postit të presidentit, gjithmonë është shoqëruar nga spiunë shqipfolës të UDB-së dhe ata serbisht folës të BIA-së së Serbisë, njërin prej të cilëve Thaçi e mbajti për vite me radhë edhe si bashkëpunëtor të vetin zyrtar, si agjenti i BIA-s, së Serbisë, Bratisllav Nikoliqi i cili para se të bëhej këshilltar i Thaçit u kap nga kamerat televizive, duke tentuar të blinte shqiptar me para që ta akuzonin rrejshëm UÇK-n, për trafikim të organeve të serbëve. Kjo mënyrë e sjelljes është tërësisht jo korrekte e jashtë çdo kontesti të kohës, si dhe në shpërputhje të plotë me zhvillimet aktuale në vend”, ka thënë ai.
Madje Qarri mendon se krejt kjo po vije për shkak edhe të humbjes katastrofale që PDK-ja ka pësuar nën drejtimin e tij.
“Është qëndrim më tepër se absurd, është turp e kulmi i hipokrizisë dhe akt që shprehë dëshpërimin e thellë e të pafund të këtij njeriu, për humbjen katastrofale që PDK ka pësuar nën drejtimin e tij. Pyetësori banal i Hoxhajt shpreh ndjenjat e vulgarizuara të një të dështuari brutal, i cili jo fort moti deklaronte hapur nga Vjena se nëse në Kosovë fiton UÇK , ai do të kërkonte azil në Bepograd, siç vazhdojnë ta akuzojnë pareshtur edhe sot, ish kolegët brenda partisë e deri te Fatmir Limaj i NISMA-së. Të sillet kështu një njeri si Enver Hoxhaj, edhe në këto momente kur vet SHBA dhe përfaqësuesit e vendeve kryesore mbështetëse të shtetit të Kosovës, çdo ditë bëjnë thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe zgjedhjen e presidentit pa manipulime të partive (humbëse) jo vetëm se është tepër qesharake por edhe perverse, tejet e paturpshme dhe tërësisht e palejueshme. PDK, siç dihet mirë nga të gjithë, ka qenë vet në pushtet për 20 vite me radhë dhe jo vetëm që nuk i ka bërë ato që sot i kërkon Hoxhaj nga Kurti e Osmani, por edhe e ka dërguar vendin buzë ndarjes e copëtimit dhe shuarjes totale të shtetësisë së Kosovës”, tha Qarri.
Krasniqi: Disa nga kërkesat e PDK-së dukën shumë të arsyeshme
E, lidhur me këto kërkesa të Hoxhaj, për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Islam Krasniqi.
Për dallim nga Mehmeti e Qarri, Krasniqi shprehet duke thënë se disa nga kërkesat i sheh të arsyeshme.
“Disa nga kërkesat e PDK-së dukën shumë të arsyeshme, nëse mund të quajmë edhe të qëlluara, pasi që janë kundërshtuar gjatë gjithë kohës nga LVV-ja, të cilat po ashtu kanë ardhur si pasojë e dështimeve të PDK-së dhe të tjerëve që ishin pjesë e pushtetit. VV-ja si parim kryesore gjithmonë e ka pasur reciprocitetin dhe është thirrur në të, dhe tani është pak problem e realizueshme kjo çështje pasi që i kemi mësuar të tjerët së ne pranojmë nënshtrimi dhe heqim dorë, Asociacioni temë tjetër shumë e ndjeshme e cila po mbetët në dorën e Kurtit i cili ka qenë gjithmonë kundër kësaj çështjeje dhe duhet të dihet së çka do të ndodhë më të, por kemi edhe tema të cilat janë qesharake siç është Demarkacionin çështje e cila tani më ka përfunduara”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi shprehet se Qeveria e re nuk ish-dashur të merret më këto tema në këtë kohë pandemie, por, sipas tij, të gjitha do t’i faturohen pasi që BE-ja dhe ShBA-ja nuk kanë kohë të na presin.
“Tani PDK-ja po kërkon që Kurti t’i përmirësojë gabimet e tyre duke menduar së ato mund t’i përmirësosh kur të zgjohesh nga gjumi, por jo tani është shumë më e vështirë të gjendet zgjidhje për to, se sa në kohën kur i kanë pranuar vet. Qeveria e re nuk ishte dashur të merret më këto tema në këtë kohë pandemie, por të gjitha do t’i faturohen, pasi që BE-ja dhe ShBA-ja nuk kanë kohë të na presin neve kur ne të jemi gati. Edhe pse Kurtit po thotë së dialogu nuk është prioritet për këtë qeveri e që kjo ishte një ndër pikat apo kërkesat e PDK-së, Kurti është i obliguar që ta vazhdojë dhe ta mbyllë këtë çështje me njohje reciproke”, ka deklaruar analisti politik, Islam Krasniqi.