Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social X lidhur me reagimet ndaj vdekjes së Ratko Mlladiçit dhe protestat kundër hapjes së një konsullate serbe në Shkodër.
Koçeku thotë se, pas një statusi që kishte publikuar dy ditë më parë për vdekjen e Mlladiçit, i ka tërhequr vëmendjen “një lumë komentesh” dhe reagimi i disa serbëve që, sipas saj, vazhdojnë të glorifikojnë ish-komandantin serb të Bosnjës.
“Një figurë që në historinë e Ballkanit asht vetë personifikimi i së keqes”, shkruan Koçeku për Mlladiçin.
Ajo kritikon atë që e konsideron si përpjekje të vazhdueshme të propagandës serbe për të mohuar dhe kamufluar të kaluarën e saj gjenocidale, duke paralajmëruar se një qasje e tillë, sipas saj, nuk përbën vetëm fyerje ndaj viktimave të luftës në Srebrenicë dhe në Ballkan, por edhe një rrezik për të ardhmen.
“Përpjekja e vazhdueshme e propagandës serbe për me e ripohu të kaluemen e vet gjenocidale nëpërmjet kamuflimit dhe ruajtjes së asaj ideologjie keqndjellëse, nuk asht vetëm fyemje ndaj viktimave të luftës në Srebrenicë e në tanë Ballkanin, por nji rrezik i ri që paraqitet në të ardhmen dhe që shfaq synimet hegjemone të nji shteti që nuk i dënon krimet dhe kriminelët e vet, por vazhdon me i mbrojtë ato”, shprehet ajo.
Sipas Koçekut, krimet e kryera gjatë luftërave në Ballkan nuk mund të relativizohen në emër të diplomacisë apo politikës.
“Nuk mund të relativizohet krimi në Ballkan, as në emër të diplomacisë e as të politikës, dhe nuk mund të ndërtohen realitete të reja, të mira e pozitive, pa reflektu mbi të shkuemen”, shkruan deputetja.
Duke iu referuar konkretisht përpjekjes për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, Koçeku thotë se argumentimi i saj me “fqinjësinë e mirë” nuk mund të ndahet nga qëndrimi ndaj së kaluarës së Serbisë.
“Kështu edhe përpjekja për me ndërtu nji konsullatë serbe në Shkodër, ‘në emër të fqinjësisë së mirë’, asht ma së paku nji mbështetje politike ndaj këtyne rimohuesve të paqes e këtyne shkaktarëve të pafre të së keqes dhe vuejtjes në gadishullin tonë”, deklaron ajo.
Koçeku ka bërë thirrje edhe për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar në Shkodër kundër konsullatës serbe.
“Nesër asht thirrë nji tjetër protestë në Shkodër kundër konsullatës serbe. Kjo asht ma e pakta që mundet me ba nji shoqni që ka respekt për veten dhe që nuk e harron agresorin e familjes së vet”, përfundon deputetja.


























