Kishte qenë vera e vitit 2010, kur pjesëtari i FSK-së, Ejup Maqedonci, që prej vitesh kishte komanduar me Njësinë e Kërkim Shpëtimit, kishte shkuar në Osaka të Japonisë për një trajnim 4-mujor, për menaxhimin e operacioneve të kërkim shpëtim, transmeton Kosova Post.
Që në ditët e para, teksa po lëshohej me litar nga lart me një peshë të rëndë nga pajisjet, kishte rënë më rëndshëm se sa duhej në tokë. Me këtë rast, Maqedonci kishte lënduar miniskusin e njërës këmbë.
Të shqetësuar, nikoqirët e trajnimit, autoritetet japoneze të Ministrisë së Jashtme, i kishin ofruar një dëmshpërblim prej 30.000 dollarësh dhe mjekim falas, përpara se të kthehej në shtëpi.
Mirëpo, Ejup Maqedonci, kishte refuzuar ta pranonte dëmshpërblimin e ofruar dhe nuk kishte pranuar ta ndërpriste trajnimin e të kthehej mbrapsht në Kosovë.
Ky qëndrim i tij, ishte parë me admirim nga zyrtarët japonezë, të njohur për kulturën dhe mentalitetin e tyre të veçantë, të cilët të mbështetur edhe në këtë qëndrim të Maqedoncit, e kishin caktuar atë në krye të grupit të ushtarakëve ndërkombëtarë nga 8 vende të ndryshme dhe e kishin përfshirë në planifikimin e skenarëve të ushtrimeve.
Kohë më pas, Maqedonci do të kryente edhe dy kolegje ushtarake dhe dy programe master në ShBA, ku u diplomua si ‘Superior Graduate’, ndërsa sot, ai mban gradën e kolonelit dhe drejton departamentet e trajnimit dhe operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.
Kolonel Ejup Maqeonci kishte nisur karrierën e tij prej ushtaraku më 1998, si luftëtar lirie në UÇK, ku ishte caktuar komandant batalioni. Gjatë luftës së Kosovës, 1998-99, Ejup Maqedonci – Uki, kishte operuar në fshatra të Prishtinës, që atë kohë ishin organizuar në Zonën Operative të Llapit.