Komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) të KFOR-it, koloneli Gianfranco Di Fiore, ka vizituar pjesëtarët e MSU-së që veprojnë në Mitrovicë, duke parë nga afër profesionalizmin, gatishmërinë dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në misionin e KFOR-it, transmeton KosovaPost.
KFOR njofton se MSU-ja luan një rol të rëndësishëm në aftësinë e KFOR-it për të ruajtur praninë, lëvizshmërinë dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të sigurisë. Sipas njoftimit për media të KFOR-it, pjesëtarët e saj kontribuojnë në ndërgjegjësimin e KFOR-it për situatën dhe në praninë e dukshme në terren, duke mbetur të gatshëm për të mbështetur misionin kudo që të jetë e nevojshme.
“Si komandant i MSU-së, jam jashtëzakonisht krenar për profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin që shoh çdo ditë te pjesëtarët tanë. Ata e kuptojnë përgjegjësinë që u është besuar dhe kam besim në gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të mbështetur misionin e KFOR-it”, ka thënë Di Fiore.
“Ndërsa KFOR-i po optimizon dislokimin e tij, përgjegjësia e tij mbetet e pandryshuar. Komandanti i MSU-së është takuar gjithashtu me ushtarët e Ekipit të Ndërlidhjes dhe Monitorimit (LMT) K2 të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, duke vlerësuar përkushtimin e tyre për ruajtjen e dialogut me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në terren”, njofton KFOR.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.


























