Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar, që dyshohet të ketë kryer veprën penale falsifikim të dokumenteve dhe posedim të narkotikëve.
Në fakt kërkesa për arrestimin e këtij personi thuhet të ketë ardhur nga INTERPOL-i.
“Në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar –Interpol është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Malit të zi. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij i janë gjetur dhe konfiskuar: 235 tableta ngjyrë e bardhë që dyshohet të jenë drogë sintetike dhe 11 bitcoin”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Kujtojmë se vlera aktuale e një bitcion është 26 mijë e 133 dollarë, e që 11 sosh të konfiskuar në Gjilan kapin shifrën e 287 mijë e 133 dollarëve.
Personi i arrestuar me vendim të prokurorit thuhet se është dërguar në mbajtje për 48 orë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë, apo ekstradimit të tij siç kërkohet nga INTERPOL.