Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se 888 qendra të votimit janë hapur në gjithë territorin e Kosovës dhe procesi i votimit po vijon normalisht në orët e para, transmeton Kosova Post.
Në konferencën e parë të KQZ-së pas hapjes së vendvotimeve, zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi, ka thënë se sipas informacioneve nga zyrtarët në terren, 888 qendra të votimeve, apo gjithsej 2.382 vendvotime kanë marrë materialin e nevojshëm, janë hapur dhe po vijojnë normalisht me procesin zgjedhor.
Janë rreth 30 mijë vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja për të përcjellë këtë proces zgjedhor.
Elezi tha se duke e ditur rëndësinë e vëzhgimit në këto zgjedhje, KQZ ka akredituar rreth 30 mijë vëzhgues për të përcjellë këtë proces.
“KQZ ka akredituar 18 ambasada të huaja me 146 vëzhgues, 6 organizata ndërkombëtare dhe institucione me 37 vëzhgues, një institucion publik me 43 vëzhgues, 26 organizata joqeveritare vendore me 1.713 vëzhgues dhe 23 subjekte politike me 26 mijë 635 vëzhgues”, theksoi Elezi.
Sipas tij, procesin zgjedhor në Kosovë po e ndjekin më shumë se 60 media vendore dhe ndërkombëtare, me rreth 700 përfaqësues të tyre.
Zëdhënësi i KQZ-së shtoi se, edhe për faktin se të reshurat atmosferike kanë vështirësuar qarkullimin në komunikacion KQZ-ja ka arritur që me kohë ta shpërndajë materialin e nevojshëm për zhvillimin normal të procesit zgjedhor edhe në rajonet rurale.
Kujtojmë se në orën 07:00 në gjithë territorin e Kosovës janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të teta me radhë në vend që nga paslufta. (AA)