KQZ ka miratuar regjistrimin e një partie të re politike në Kosovë, “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale” (PQMS), e cila do të përfshihet zyrtarisht në regjistrin e partive politike me numrin rendor 53.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 35-të të këtij viti, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.
Në këtë mbledhje, KQZ vendosi regjistrimin e partisë së re politike “Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale” (PQMS).
Sipas KQZ-së, iniciativa qytetare e udhëhequr nga Sali Salihu kishte dorëzuar më 17 mars 2026 aplikacionin për regjistrim, së bashku me dokumentacionin e kërkuar, përfshirë statutin, programin, aktin e themelimit, simbolin, raportin financiar, nënshkrimet e përkrahësve dhe taksën e regjistrimit.
Pas shqyrtimit dhe plotësimeve të kërkuara, dokumentet janë dërguar në shqyrtim publik nga 1 deri më 7 prill 2026, periudhë gjatë së cilës nuk është pranuar asnjë ankesë. Me vendimin e sotëm, PQMS do të regjistrohet si parti politike dhe do të mbajë numrin rendor 53 në regjistrin e partive politike në Kosovë.
Në vijim të mbledhjes, KQZ mori vendim edhe për emërimin e komisionit të pranimit për pozitën e Drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së.


























