Në samitin e G7 në Japoni, ne jo vetëm që duhet të mbrojmë rendin global, por duhet edhe të përballemi me krizat globale, shkruan kryeministri japonez, Fumio Kishida, transmeton Kosova Post.
Nga data 19 deri më 21 maj, Japonia do të pres liderët e Bashkimit Evropian Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Hiroshima për Samitin e G7. Simbolika e këtij lokacioni është e fuqishme dhe e qëllimshme. Hiroshima, qyteti që përfaqësoj gjatë gjithë karrierës sime politike, u shkatërrua nga një bombë atomike në vitin 1945, kur armët bërthamore u përdorën për herë të parë. Ajo histori e tmerrshme më shtyu ta bëj misionin tim të jetës të punoj për çarmatimin bërthamor dhe mospërhapjen e këtyre armëve, të motivuar nga ideali i një bote pa armë bërthamore. E kaluara e Hiroshimës duhet të shërbejë sot si një kujtesë se çfarë mund të ndodhë kur rendi dhe paqja prishen dhe i lënë vendin destabilitetit dhe konfliktit – një kujtesë që nevojitet sot më shumë se në çdo kohë në dekadat e kaluara, shkruan kryeministri japonez Fumio Kishida. në një artikull të botuar në Foreign Affairs.
Unë vizitova Ukrainën në mars. Në Buçë pashë me sytë e mi pasojat e krimeve ruse dhe dëgjova historitë e atyre që i mbijetuan këtyre akteve brutale. Ndërsa isha atje, ftova presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të marrë pjesë në diskutimet në samit, gjë që dëshmon për angazhimin e përbashkët të anëtarëve të G7 për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës dhe për të mbajtur sanksione të ashpra kundër Rusisë. Në Hiroshima, ne do t’i bëjmë përsëri thirrje Rusisë që menjëherë dhe pa kushte të tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet nga Ukraina dhe do të ritheksojmë se kapja e territorit me forcë dhe përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar me forcë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht nuk do të lejohen.
Si i vetmi vend aziatik në G7, Japonia është në një pozicion unik për t’i bërë të qartë botës se agresioni rus kundër Ukrainës nuk është vetëm një problem për Ukrainën ose Evropën, por një kërcënim për sigurinë dhe prosperitetin e njerëzve në mbarë botën. . Veprimet e Rusisë minojnë themelet e rendit ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit, duke shkelur parimet bazë të mbrojtura nga Karta e Kombeve të Bashkuara. Nëse Moska ka sukses në Ukrainë, pasojat do të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Evropë, por edhe në rajonin Indo-Paqësor dhe më gjerë.
Ne duhet të tregojmë gjithashtu se retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë është e papranueshme. Zgjodha Hiroshimën për të pritur samitin e G7 sepse nuk ka vend më të mirë për të dërguar mesazhin urgjent, të dhënë në unison nga shtatë liderët: se ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të vazhduar historinë 77-vjeçare të mospërdorimit të armëve bërthamore.