Në nderim të rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Marinë të Komunës së Skenderajt.
Kryeministri Kurti vendosi lule të freskëta në përkujtim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe betejës së ashpër me forcat serbe, ku ra heroikisht Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci”, Zona Operative e Drenicës.
Me nderime te përmendorja e ngritur në kujtim të dëshmorëve, Kryeministri vendosi lule për 42 dëshmorët e rënë, në krye me Ilaz Kodrën, në mbrojtje të civilëve në Shtuticë, Verboc, Baks, Gllobar e fshatra përreth, ku ishin grumbulluar dhjetëra mijëra shqiptarë.
Paraprakisht, Kryeministri Kurti bëri homazhe në fshatrat Gllobar, Verboc e Shtuticë, ku më 30 prill të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakra kundër popullsisë civile shqiptare./Kosova Post/