Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë me publikun sihariqin për ardhjen e më shumë se 38 mijë vaksinave AstraZeneca sot në Kosovë, transmeton Kosova Post.
Kryeministri Kurti, këtë lajm të mirë e ka dhënë përmes një postimi në Facebook, duke kujtuar edhe Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, ndërsa ka shprehur falënderim e mirënjohje për të gjithë infermierëve që pareshtur janë kujdesur për shëndetin e popullatës në kohë pandemie.
Tutje ka shkruar Kurti në Facebook, se edhe në këtë periudhë të vaksinimit, infermierët po luajn rolin kyç.
Ai, thekson se me imunizimin e popullatës sadopak do të lehtësohet edhe puna e infermierëve.
Kryeministri i vendit, shpreson se brenda vitit ta qeveria të realizojë synimin për imunizimin e 60 për qind të popullatës.
Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Sot, në ditën ndërkombëtare të infermierëve, kanë arritur 38,400 doza të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19. Së bashku me Ministrin Vitia, Ambasadorin Abbott, Ambasadorin Szunyog, Ambasadoren Butel, Ambasadorin Rohde, Koordinatoren për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson, drejtorin e UNICEF-it, Murat Sahin, dhe drejtoreshën e USAID-it, Lisa Magno, pranuam kontingjentin e ri me vaksina në kuadër të Aleancës COVAX.
Infermierët, qysh nga muaji mars i vitit të kaluar, kanë qenë në front të përballjes me pandeminë COVID-19. Ata asnjë ditë nuk kanë pushuar e më së paku janë kujdesur për vetveten, sepse pareshtur janë përkujdesur për shëndetin tonë. Edhe tani, në fazën e vaksinimit, infermierët po luajnë një rol kyç. Përkushtimi i tyre i përditshëm na detyron neve si qeveri që të angazhohemi maksimalisht që të sigurojmë doza sa më shumë, në mënyrë që të përmbushim synimin që brenda vitit të imunizohen 60% të popullatës. Kështu, shpresojmë që do t’ua lehtësojmë punën sadopak infermierëve tanë.