Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e qeverisë ka thënë se për një vit qeverisje kanë punuar në dritën e diellit pa e pasur asnjë skandal, me transparencë e llogaridhënie të plotë.
Tutje ka shtuar kryeministri Kurti se kjo gjë nuk është parë më herët në qeverisjes e kaluara.
Por, Kurti për qeverisjen njëvjeçare pa skandale e me transparencë, ka falënderuar ministrat të cilët tha ai kanë bërë punë shembullore.
“Punët i kemi bërë në dritën e diellit pa asnjë skandal dhe me transparencë e llogaridhënie të paparë ndonjëherë në këto 20 vitet e fundit. Andaj ju falënderoj të gjithë juve dhe ekipit e kolegët tuaj në ministritë përkatëse për këtë rezultat shembullor në vitin e parë të qeverisjes sonë”, deklaroi Kurti.
Ndërkohë, Kryeministri Kurti i paralajmëroi ministrat e tij se ky vit do të jetë më sfidues dhe i pret punë e madhe në qeverisje.
“Nevojitet edhe një vit tjetër që të arrijmë në gjysmën e mandatit, prandaj kemi shumë punë këtë vit, por nuk ka dyshim që me vullnetin që kemi, dijen që kemi, përvojën që kemi fituar, nuk ka sfida të cilat nuk do t’i kalojmë së basku për hir të popullit, shtetit e kombit tonë”, deklaroi më tutje ai