Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se vonesat në procesin e integrimit krijojnë hapësirë për ndikime të jashtme dhe rreziqe gjeopolitike, duke kërkuar një qasje më të vendosur dhe më të shpejtë ndaj zgjerimit të BE-së, gjatë pjesëmarrjes së tij në panelin me temën “Ku përfundon Evropa – vizion dhe pragmatizëm në kohë trazirash gjeopolitike”, përcjell KosovaPost.
“Pata kënaqësinë të hap panelin dhe ta përmbyll atë në diskutimin me temën ‘Ku përfundon Evropa – vizion dhe pragmatizëm në kohë trazirash gjeopolitike’, me ç’rast theksova rëndësinë e unitetit, qartësisë dhe vendimmarrjes së guximshme nga progresistët evropianë në një moment kur presionet globale po rriten”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka bërë të ditur se ka ndarë bindjen se rajoni nuk duhet të shihet si periferi e Evropës, por si pjesë e saj.
“Si kryeministër i një vendi nga Ballkani Perëndimor siç është Republika e Kosovës, ndava bindjen se rajoni ynë nuk duhet të shihet si periferi e Evropës, por si pjesë integrale e saj, historikisht, kulturalisht dhe politikisht”, ka shkruar ai.
Kurti ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është nevojë për demokraci më të fortë, zhvillim ekonomik dhe siguri afatgjatë.
Ai gjithashtu ka thënë se “Evropa fillon në shtëpi dhe përfundon në vijat e frontit të solidaritetit, në Ukrainë, në Moldavi, në Gjeorgji dhe kudo ku mbrohen vlerat demokratike”, duke shtuar se është detyrë e të gjithëve të veprojnë me përgjegjësi.


























