Kryeparlamentari i ri i Maqedonisë së Veriut , Afrim Gashi, ka theksuar sot se integrimi i shpejtë i vendit në BE mbetet prioriteti i tyre si shtet, por edhe i përfaqësuesve të partive politike shqiptare.
Në një intervistë për REL Gashi thekson se për këtë nevojitet dialog me të gjitha palët, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, para së gjithash me shtetet fqinje.
E për ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, nevojiten dy të tretat e votave, të cilat, Gashi thotë se partitë që do të formojnë qeverinë e re, do të arrijnë t’i sigurojnë dhe më pas të ketë një debat “për të hequr nga tryeza këtë problem politik”.
Ai thotë se me hapjen e ndryshimeve kushtetuese do të angazhohet që të zgjidhet edhe statusi i gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila përkufizohet si gjuhë e “20 për qind” të popullsisë.


























