Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresh Kryeziu-Hyseni, e ka vlerësuar si pozitiv qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në gjetjen e një kandidati konsensual për presidentin e vendit.
Në një intervistë në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, Kryeziu-Hyseni tha se gatishmëria e LDK-së për të marrë pjesë në gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit është një zhvillim i mirëseardhur.
Ajo iu referua deklarimeve të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke thënë se pozicionimi i kësaj partie mund të kontribuojë në tejkalimin e situatës aktuale politike.
“Fakti që po duan të kontribuojnë në një emër konsensual, mendojmë që është i mirëseardhur”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.
Duke folur për ngërçin politik pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, deputetja e VV-së bëri të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar ftesë partive politike për takim.
Sipas saj, në këtë takim pritet të diskutohet çështja e presidentit, përpara se të vazhdohet me procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Kryeziu-Hyseni ka insistuar se partitë politike duhet të arrijnë një marrëveshje për presidentin, duke paralajmëruar se mungesa e një dakordimi mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Duhet të ketë një marrëveshje për çështjen e presidentit. Çfarëdo iniciative tjetër do të jetë iniciativë që do ta çojë vendin në zgjedhje të reja”, është shprehur ajo.
Sipas deputetes së Vetëvendosjes, qëllimi i takimit ndërmjet subjekteve politike është arritja e një mirëkuptimi për mënyrën se si do të procedohet me zgjedhjen e presidentit, përpara hapave të mëtejshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.


























