Shkruan: Ajni Sinani
Hebrenjtë besojnë se Zoti u ka premtuar atyre një shtet që do të shtrihej nga lumi Nil deri në lumin Eufrat, ku do të përfshihej një pjesë e Egjiptit (Sinai), Palestina, një pjesë e Irakut, Libani, Siria, Jordania Lindore si dhe një pjesë e Hixhazit, madje edhe qyteti i ndritur i Medinës.
Në vitin 1937 Ben Gurioni hartoi kufijtë e Izraelit duke u mbështetur te Bibla. Sipas mendimit të tij, toka e Izraelit duhej të përfshinte pesë regjione:
1. Pjesën jugore të Libanit deri te lumi Litan; 2. Sirinë jugore; 3. Transjordaninë (Jordaninë); 4. Palestinën dhe 5. Sinain.
Ben Gurion shkruan: “Shpatën e kimi futur në mill, por vetëm përkohësisht. Ne do ta nxjerrim përsëri nëse kërcënohet liria e atdheut tonë, vendit të profetëve të Torës. Atëherë i gjithë populli hebre do t’i rikthehet kolonizimit të tokës së baballarëve dhe stërgjyshërve, që shtrihet që nga Nili deri në Eufrat”. Menahem Begin shkruan : “Që nga koha e Torës, toka e Izraelit është e konsideruar si toka e kombeve për bijtë e Izraelit. Më pas kjo tokë u quajt me emrin Palestinë. Gjithmonë në të kanë qenë të përfshira të dy brigjet e lumit Jordan, Libani jugor dhe jugperëndimi i Sirisë. Copëtimi i atdheut është një veprim i paligjshëm, ndaj e gjithë toka e Izraelit do t’i kthehet popullit të Izraelit për jetë”.
Izraelitët, gjatë konceptimit elastik të kufijve, bazoheshin kryesisht në Bibël në mënyrë që të arsyetonin lëvizjen e kufijve, të legalizonin agresionin dhe pas aktit të kryer ta justifikonin aneksimin.
12 – Mospërcaktimi i kufijve të Izraelit
Kufijtë e Izraelit nuk janë përcaktuar kurrë në mënyrë të qartë dhe nuk janë njohur prej fqinjëve të tij. Vija e ndalim-zjarrit e vitit 1948, që erdhi si rrjedhojë e luftës, u zgjerua në vitin 1967 me pushtimin e Bregut Perëndimor, Rripit të Gazës dhe lartësive Golan. Në deklaratën për formimin e Izraelit, shteti i ri është quajtur Eretz Izrael, që nënkupton tërë territorin mes lumit Jordan dhe detit Mesdhe. Në të nuk përmenden kufijtë e shtetit të Izraelit. Ben Gurioni në Memoaret e tij shkruan se në deklaratën për formimin e Izraelit, më 14 maj 1948, qëllimisht nuk është bërë përcaktimi i përpiktë i kufijve të shtetit të ri, për shkak të pavendosmërisë që dominonte atëherë në aspektin e zhvillimit të konfliktit të mëtejmë me arabët.
Izraeli e ka refuzuar vazhdimisht përcaktimin e kufijve. Ai ka këmbëngulur në arritjen e një paqeje formale me kufij të hapur, kërkesë që ka qenë e vështirë për t’u pranuar nga udhëheqësit arabë. Pas luftës së vitit 1967, Izraeli i zgjeroi edhe më tepër kufijtë e vet, Moshe Dajani, kur është pyetur se çfarë do të bëjë Izraeli me territoret e pushtuara, ka thënë: “Hartën e vendit tonë do ta bëjmë të tillë që fëmijët ta vizatojnë më lehtë në shkollë”.