Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni pritet të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan.
Kështu ka paralajmëruar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan. (“Livadhet e Arapit” në Gjilan), në ora 10:00”, ka njoftuar MASHTi.
Përndryshe sot, të martën, në orën 10:00, kryeministri i Kosovës, është urdhëruar që të japë një dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në hyrje të këtij objekti janë tubuar një numër i madh gazetarësh, me gjasë në pritje të paraqitjes së kryeministrit Kurti.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ditë më parë se ka lëshuar urdhër që obligon Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.

























