Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar për vizitë në Handikos aty ku takoi drejtuesit e kësaj organizate. Kjo vizitë u bë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara që shënohet me 3 dhjetor.
Kreu qeveritar përmendi rritjen e pensioneve për 20 për qind për kategorinë e peronave paraplegjik e tetraplegjik.
Tha se deri tash janë punësuar 339 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar, derisa u ka bërë thirrje komunave që të aplikojnë meqë buxheti i ndarë është për 500 asistentë.
“Deri tani janë punësuar në vendin tonë 339 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara e i bëjmë thirrje edhe komunave të Kosovës që të aplikojnë sepse kemi buxhetuar deri në 500, pra ka më shumë mundësi sesa realizim”, tha kryeministri.
Ai shtoi se duan të dëshmojnë se personat me aftësi të kufizuar posaçërisht fëmijët, të mos jenë thjesht vetëm barrë e familjes, por edhe e shtetit.
“Qeveria ka miratuar përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Republikës dhe presim që parlamenti të aprovojë përfshirjen e Konventës në Kushtetutë. Kemi finalizuar Strategjinë për Persona me Aftësi të Kufizuara dhe shumë shpejt do ta miratojmë në qeveri”, tha Kurti gjatë vizitës në këtë organizatë.
Ai tutje tregoi se katër muaj më parë kanë miratuar rregulloren e re që tha se do të reduktojë burokracinë dhe stërzgjatjen e procesit të vlerësimit.

“E para, reduktimi i burokracisë dhe stërzgjatja e procesit të vlerësimit. Mundësimi i aplikimit online përmes E-Kosova, është hequr rivlerësimi, ajo paraprake që kishte përcaktuar rivlerësim ka qenë në kundërshtim me ligjin. Komisioni do ta bëjë edhe vlerësimin e nevojave sociale për personat paraplegjik dhe tetraplegjik”, shtoi Kurti.
Drejtuesi i kësaj organizate, Afrim Maliqi e njoftoi kryeministrin me sfidat që i përcjellin ata, por edhe me sukseset që tha se patën gjatë kësaj periudhe duke përmendur faktin që viti 2022 ishte shpallur vit i Personave me Aftësi të Kufizuar.
Ai tha se kur të dalin statistikat e regjistrimit të popullsisë do të jenë edhe shifrat e sakta të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Ndërkaq, një student 19 vjeçar i cili përballet me telashe shëndetësore e bënë pjesë në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara i ka treguar kryeministrit për problemet që e kanë përcjellë atë gjatë periudhave të shërimit.
Tha se vuan nga paraliza cerebrale e më vonë i janë shfaqur edhe probleme me zemër që do ta përcjellë gjithë jetën. Tregoi se operimin e ka bërë në një spital privat me të holla të familjarëve e miqve.
Ai tha se si kategori vazhdojnë të jenë të bullizuar e diskriminuar në shoqëri.


























