Me rastin e hapjes së Zyrës në Kosovë të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen ceremoniale të kësaj hapjeje.
Nën mesin e liderëve të bizneseve Shqiptaro-Gjermane, kryeministri Kurti përgëzoi Unionin e Bizneseve të cilët, siç tha kryeministri, kanë hedhur një hap shumë të rëndësishëm në përmbushjen e premtimit për të shërbyer si urë e fuqishme ndërlidhëse midis Kosovës dhe Gjermanisë, dy shteteve të cilat gëzojnë marrëdhënie të shëndosha politike, ekonomike, kulturore, diplomatike e tregtare.
“Unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë, dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë”, deklaroi kryeministri para të pranishmëve.
Tutje, ai shtoi se bizneset tona po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global dhe për një arritje të tillë bashkatdhetarët kanë një rol të pazëvendësueshëm përmes krijimit të mundësive për ndërmarrjet tona lokale në skenën ndërkombëtare. Rrjedhimisht kjo po dëshmon se si ne po bëhemi vend i orientuar kah eksportet, duke u përfshirë në tregun ndërkombëtar me produkte ushqimore dhe joushqimore.
Sipas kryeministrit, me mërgatën ndajmë edhe vlera të përbashkëta, siç është së fundmi edhe sistemi dual që tashmë e kemi me 12 profile, në 21 shkolla, në 14 komuna anembanë Kosovës, me ç’rast përveç forcimit të ekonomisë, mundësive të reja për punësim dhe zhvillimit të aftësive, ndërtojmë themelin për të mësuar gjatë gjithë jetës.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ekonominë e vendit duke i përkrahur bizneset përmes subvencionimit të kredive investive, me Ligjin për Investime të Qëndrueshme në bazë të së cilit edhe po themelohet Agjencia për Investime dhe Eksport, me synim të promovimit të mjedisit e të bërit biznes në Kosovë dhe me Kosovën.
“Projektet preliminare të investimeve për përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes deri në vitin 2030 do të jenë mbi 10 miliardë euro. Mbi 50 projekte infrastrukturore përafërsisht rreth 5 miliardë euro ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliard, dhe projekte kapitale të cilat vetëm në vitet 2023-2024 janë mbi 6 mijë me përafërsisht 1.7 miliardë, dhe e fundit por jo për nga rëndësia siç thuhet mbi 1.2 GW shtesë të kapaciteteve energji të ripërtëritshme”, vazhdoi kryeministri.
Duke falenderuar ndërmarrësit për kontributin e tyre, kryeministri Kurti ritheksoi se fokusi i Qeverisë mbetet në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimit shoqëror, ku progresi është i pakthyeshëm.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari, z. Nazmi Viqa, kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane,
I nderuari, z. Matthias Conrad, zëvendësambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, këtu në Kosovë,
E nderuara, znj. Liza Gashi, zëvendësministre në Ministrinë Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në Qeverinë tonë,
I nderuari, z. Lazim Destani, kryetar nderi i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane,
I nderuari, z. Ejup Berisha, kryetar i parë i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane,
Më vjen aq mirë zonja dhe zotërinj, të nderuar të pranishëm, që po shoh shumë biznesmenë të cilët i kemi takuar ose këtu, ose në Gjermani, dhe të cilët kanë kontribuar aq shumë për ekonominë e Kosovës, për familjet e tyre, për miqtë e për dashamirët, dhe me të cilët kemi krijuar ura të shumta komunikimi, kemi përvoja të paharrueshme me ta.
Duke hyrë këtu i pashë të tre Bekimat, Borovci, Brestovci dhe Ahmetaj, për shembull, po dua t’u tregoj që nuk ua harroj emrat dhe se njihemi nga hera e ju falënderoj të gjithëve nga zemra për kontributin e pamohueshëm, e të palodhshëm që e keni dhënë ndër vite, për atdheun e juaj, për familjet tuaja, për kombin tonë mbarë.
Është kënaqësi të jem mes juve sot, liderëve të bizneseve Shqiptaro-Gjermane, që keni kontribuar dhe po vazhdoni të kontribuoni edhe në Gjermani, edhe për Kosovë. Me shumë prej ndërmarrësve ne kemi pasur bashkëpunim edhe në të kaluarën, mirëpo jemi këtu sot për të shqyrtuar mundësitë e mënyrat se si ta shtojmë këtë bashkëpunim, për dobi të dyanshme.
Me hapjen e zyrës tuaj tani edhe fizikisht në Kosovë, për të cilën shfrytëzoj rastin t’iu përgëzoj, t’iu uroj. Unioni i Bizneseve ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm në përmbushjen e premtimit për të shërbyer si urë e fuqishme ndërlidhëse midis Kosovës dhe Gjermanisë. Pra, me shtetin me të cilin ne kemi marrëdhënie edhe të shëndosha dhe të forta politike, ekonomike, kulturore, diplomatike e tregtare.
Ndërsa mblidhemi së bashku në këtë forum, është thelbësore të reflektojmë mbi udhëtimin tonë kolektiv, të shënuar nga puna e palodhshme dhe përkushtimi ndaj rritjes ekonomike dhe zhvillimit shoqëror.
Gjatë viteve të fundit, Kosova ka qenë dëshmitare e një transformimi të jashtëzakonshëm. Në vitin 2019, ekonomia jonë u vlerësua në 12.56 miliardë euro, ndërsa vetëm tre vite më pas, regjistruam një shifër mahnitëse prej 18.15 miliardë euro që shënon rritje impresive, sa i përket qarkullimit dhe natyrisht që kjo ka ndikuar edhe në rritjet e tjera që i kemi pasur në çdo sferë të shoqërisë, e të aktivitetit tonë.
Kemi ta zëmë dyfishim edhe të eksporteve edhe të investimeve të huaja, në vetëm dy vite e gjysmë, ndërkaq krahasuar me vitin 2019, viti i ardhshëm do të jetë viti kur do të kemi mbi 40% rritje të bruto produktit vendor, pra për vetëm pesë vjet e krahasuar me vitin 2020 që ishte vit i pandemisë i bie mbi 50%.
Një zhvillim i këtillë është i paprecedentë dhe natyrisht që duhet të reflektohet edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve, e me këtë rast cilësinë e të të bërit biznes në Kosovë.
Historia jonë është histori e suksesit, e cila shtrihet edhe përtej rritjes ekonomike. Është një tregim i zhvillimit gjithëpërfshirës, sepse kemi edhe rritje prej 2/3 të të hyrave tatimore në buxhetin e shtetit pa e ndryshuar politikën fiskale, pra nuk ka ndryshuar shkalla tatimore, por është zgjeruar përfshirja tatimore. Janë rritur kontributet, pa u rritur kërkesa nga shteti.
Unë besoj që faktor në këtë është rritja e besimit në institucionet e shtetit, kur ka zgjedhje demokratike dhe kur ka stabilitet institucional, rritet besueshmëria e qytetarëve në institucione, kur nuk ka skandale të korrupsionit dhe kur ka shpresë për të ardhmen, njerëzit të shpenzojnë më shumë sa që kursejnë dhe në këtë mënyrë rritet buxheti i shtetit, i cili neve na e ka mundësuar që për vetëm dy vite e gjysmë të vijmë në pikën ku buxheti për arsim, për shëndetësi dhe për bujqësi është rritur 50%, ndërkaq për mbrojtje për 150%.
Gjithashtu, roli i tregtisë ndërkombëtare në ringjalljen tonë ekonomike ka qenë i rëndësishëm. Eksportet tona në vitin 2022, vitin e kaluar ishin 920.4 milionë euro, pothuajse, pra dyfishim krahasuar me 2020. Shpejt, do ta tejkalojmë vlerën, pra një miliard. Bizneset tona po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global dhe përveç kësaj ato po dëshmojnë se si ne ngadalë, por sigurt po bëhemi vend i orientuar kah eksportet.
Bizneset tona janë dëshmi që tregu vendor nuk mjafton, dhe eksportet janë zgjidhja e cila tashmë po ndodhë, nuk është diçka që ne parashikojmë, është diçka që ne po e përjetojmë. E përsëri duhet të theksohet që për një arritje të këtillë bashkatdhetarët kanë një rol të pazëvendësueshëm në hapjen e dyerve dhe krijimin e mundësive për ndërmarrjet tona lokale në skenën ndërkombëtare. Me këtë rast, do të mund të flisnim edhe për një lloj diaspore si pjesë e rëndësishme e tregut, mbase e mbipërfaqësuar sepse konsumuese më e madhe e produkteve vendore edhe seç mund të duket në shikim të parë. Pra, kemi një lloj diasporizimi të eksporteve, ku eksportet e caktuara e kanë për synim pikërisht diasporën tonë kudo që ajo ndodhet në Evropën Perëndimore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo gjetiu.
Me këtë rast, më lejoni të theksoj që mundësitë janë edhe më të mëdha se realiteti, dhe ne jemi këtu për t’iu ndihmuar.
Deficiti tregtar i Bashkimit Evropian është 122 miliardë euro, dhe në këtë 122 miliardë euro ne mund të hyjmë me produktet tona, konkretisht produkte ushqimore janë 14 miliardë euro ose 11%, ndërkaq produkte joushqimore janë 108 milionë euro apo 89%.
Produktet ushqimore kryesore, në të cilat ne do të mund të hynim me eksportet tona në pjesën e deficitit tregtar të Bashkimit Evropian janë lëngjet, frutat e vogla, mishi, produktet e qumështit, mjalti, vezët, domatet e freskëta, ndërkaq sa i përket produkteve joushqimore, janë briketat e qymyrit, produktet e plastikës, mobilet, kuzhinat, karriget, krevatet, produktet e përpunimit të drurit, të metaleve, dhe tek metalet sidomos produktet e aluminit. 122 miliardë gjithsej, është shumës i madh me të cilët ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me juve që të marrim pjesë në këtë deficit tregtar të Bashkimit Evropian.
Andaj, unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë.
Ndikimi i punës suaj është i dukshëm në rritjen e investimeve të huaja direkte, e cila ka arritur në 1.2 miliardë euro gjatë viteve të fundit. Ky fluks i investimeve jo vetëm që ka forcuar ekonominë, por edhe ka krijuar mundësi të reja për punësim dhe për zhvillim të aftësive. Sepse ndihma që ju ia keni dhënë Kosovës nëpërmjet bashkëpunimit nuk është thjeshtë remitancë, nuk është thjeshtë as investim e punësim, por është edhe etikë e punës dhe është zhvillim i aftësive. Mërgata është pjesë e kombit tonë nga e cila ne mësojmë. Pra, nuk marrim vetëm mjete financiare e të mira materiale, por edhe dije e shkathtësi për punët që i bëjmë e për ato që duhet t’i bëjmë.
Shifrat e punësimit flasin vetë, kemi një rritje prej 16% në krijimin e vendeve të punës gjatë gati 32 muajve të fundit, ku janë shtuar 60,000 vende të reja pune në ekonominë tonë. Kjo arritje është domethënëse, në veçanti për shkak se pasqyron natyrën gjithëpërfshirëse të ekonomisë. Një ekonomi që rritet duhet të përkthehet edhe në rishpërndarje të rritur edhe në punësim të shtuar.
Ne gjithashtu ndajmë vlera të përbashkëta. Në Kosovë mësojmë shumë nga mërgata jonë e historia e juaj e suksesit. Mbase secili prej jush këtu e dini më mirë sesa ne që jemi këtu për sistemin e Ausbildung-ut. Këtë fjalë unë e kam mësuar prej juve, as nga përvoja jetësore e mëhershme, as nga librat që kam lexuar, por nga takimet prej juve dhe kur qytetarët e Kosovës e mendojnë Gjermaninë, i mendojnë markat e famshme gjermane, mendojnë për Bosch e për Siemens, mendojnë për markat e automjeteve cilësore, mendojnë për Deutche këso e Deutche aso, mirëpo unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës, i cili është i interesuar që Ausbildung të bëhet fjala më e famshme gjermane në Republikën tonë.
Duhet ta lidhim tregun e punës me Aftësimin edhe Arsimimin Profesional, në mënyrë që për një diplomë shkolle a fakulteti të kemi një vend pune në ekonomi. Nuk mund ta planifikojmë arsimin jashtë zhvillimit ekonomik dhe anasjelltas.
Gjatë kësaj jave e kemi marr një hap shumë të rëndësishëm. Kemi filluar fushatën për imazhin e Ausbildung-ut, me ç’rast këtë sistem dual e kemi tashmë me 12 profile, në vitin e kaluar i kemi pasur 4, i kemi shtuar edhe 8 të tjera. Në 21 shkolla, në 14 komuna anembanë Kosovës dhe qëllimi është që jo vetë të plotësojmë vende të lira të punës, por njëherazi edhe të ndërtojmë themelin për të mësuar gjatë gjithë jetës. Mësimi nuk përfundon me diplomë, por ndodhë gjatë gjithë jetës dhe këtë ne dëshirojmë ta bëjmë sistem. Modeli gjerman është shembulli më i mirë dhe nuk është e rastësishme që në krizën globale financiare të vitit 2008, Gjermania ia doli shumë mbarë, mirë e kollaj, e një ndër shpjegimet është pikërisht Ausbildung-u. Pavarësisht krizës globale financiare nuk u humbën vendet e punës. Një bashkatdhetarë me të cilin kam qenë në shkollë dikur, një njërën prej vizitave të tij më patë thënë: ‘shumë interesant, tha, më duket situata në këtë vendin tonë të dashur në raport me Gjermaninë. Atje në Gjermani gjithçka duket në rregull, por ka vende të lira të punës. Ti thua si është e mundur që në këtë vend që duket pothuajse i përsosur ka ende vende pune. Ndërkaq, në Kosovë tha, pak çka më duket në rregull e thonë s’ka punë. A nuk do të duhej të kishte punë për t’i rregulluar këto gjëra që nuk duken në rregull?’. E unë besoj që industria e shërbimeve, e mirëmbajtjes, është çelësi, i cili këto gjëra që janë të parregulluara rregullohen, po në të njëjtën kohë edhe bëjnë gjëra të cilat nuk i kemi pasur më parë. Metoda e Ausbildung-ut në njërën anë dhe vlerat evropiane e euroatlantike në anën tjetër janë garanci për sukses.
Ndërsa shohim drejt së ardhmes, fokusi ynë mbetet në ndërtimin e një ekonomie edhe të qëndrueshme, pra ku progresi është i pakthyeshëm. Jo vetëm të bësh progres, por të bësh një progres që askush nuk mund ta zhbëj dhe të jetë gjithëpërfshirëse, jo të jetë një progres për disa, por për të gjithë, të mos e lëmë asnjëri mbrapa.
Dhe kjo ekonomi rritet në përmasa, por edhe me kapacitet për të ofruar mundësi qytetarëve. Jemi krenar që po dëshmohet edhe nëpërmjet forcimit të shtetit ligjor, i cili e rrit parashikueshmërinë e të bërit biznes dhe e mundëson investimin dhe riinvestimin.
Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet ekonominë e vendit duke i përkrahur bizneset. Nuk jemi dy palë, jemi në të njëjtën anë dhe këtë e bëjmë edhe përmes pakos së ringjalljes ekonomike që vjen nga buxheti i mbushur prej tatimpaguesve, qofshin qytetarë a ndërmarrës, me ç’rast ne për shembull kemi subvencionuar jo vetëm konsumin, por edhe prodhimin, jo vetëm qytetarët teksa konsumojnë energji elektrike ta zëmë, ose gratë lehona e fëmijët, ose studentët e të moshuarit, por edhe prodhuesit, me subvencionim të kredive investive, me ndihmë për ta që e kemi bërë me Ligjin për Investime të Qëndrueshme, në bazë të së cilit edhe po themelohet Agjencia për Investime dhe Eksport, e cila në këtë mënyrë do të promovojë mjedisin e të bërit biznes në Kosovë dhe me Kosovën. E në këtë aspekt kemi edhe të dhëna konkrete. Projektet preliminare të investimeve, sa i përket përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes deri në vitin 2030 do të jenë mbi 10 miliardë euro. Mbi 50 projekte infrastrukturore përafërsisht rreth 5 miliardë euro, ku bëjnë pjesë transporti me 2.5 miliardë, energjia me 1.5 miliardë dhe mjedisi me 1 miliardë, dhe projekte kapitale të cilat vetëm në vitet 2023-2024 janë mbi 6 mijë me përafërsisht 1.7 miliardë, dhe e fundit por jo për nga rëndësia siç thuhet mbi 1.2 GW shtesë të kapaciteteve për energji të ripërtëritshme. Aktualisht i kemi 282 MW, do të ja shtojmë edhe 1200 MW, përafërsisht gjysma do të jenë nga burimet e erës dhe gjysma nga ato solare. Ankandi i parë për 100 MW në fshatin Kramovik të Rahovecit është deri më 31 janar. Blerja e energjisë e garantuar për 15 vjet, toka publike për 30 vjet, çmimi tavan 65 euro për MW/h, ndërkaq në vitin e ardhshëm, kah mesi i vitit të ardhshëm po punojmë që ta kemi edhe 150 MW të tjerë nga era, por që nuk janë të specifikuara në cilin vend, pra bashkëpunojmë me ndërmarrësit e interesuar në përcaktimin e vendit. Kjo 100 MW do të jetë në një hapësirë prej 120 hektarë nga 365 hektarë të lokalizuara. Pra, dihen 365 hektarë, prej tyre përcaktohen 120 hektarë për 100 MW park me energji diellore.
Krejt në fund më lejoni ta shpreh edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për z. Nazmi Viqën, për z. Lazim Destanin dhe për gjithë ju ndërmarrës të tjerë që na keni bë bashkë këtu siç na bëni bashkë edhe atje për të mirën e përbashkët e për zhvillimin e mëtutjeshëm të partneritetit tonë.
Së bashku ne i kemi hedhë themelet për një Kosovë të begatë dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi këtë sukses. Traditat e mira i kultivojmë dhe gjithashtu inovacionin e kreativitetin e inkurajojmë. Udhëtimi përpara është i mbushur me mundësi edhe sfida, por me mbështetjen tuaj të vazhdueshme, me përkushtimin tonë të pa rezervë kam besim se ditë edhe më të mira gjithnjë e më të mira na presin përpara për shtetin tonë, për kombin tonë, për familjet e për qytetarët tanë.