Kusari-Lila: Diplomacia dhe ekonomia duhet të ecin bashkë

Diplomacia dhe ekonomia duhet të ecin bashkë. Ambasadat tona janë jo vetëm përfaqësuese të Kosovës në botë, por edhe ura që lidhin bizneset tona me investitorët, partnerët dhe tregjet e reja. Kështu ka deklaruar ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, përcjell KosovaPost.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë takimit me ambasadorët e Republikës së Kosovës në kuadër të Konferencës IX të Ambasadorëve, me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për mbështetjen e bizneseve vendore në rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit, si dhe për krijimin e kushteve më të mira për investitorët e huaj.

“Gjatë takimit, theksova punën që po bën Ministria për të mbështetur bizneset vendore në rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së prodhimit, si dhe në përmirësimin e kushteve për investitorët e huaj. Gjithashtu, diskutuam për rolin e përfaqësive tona diplomatike në hapjen e tregjeve të reja për bizneset kosovare dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime”, ka shkruar ajo.

Sipas ministres në detyrë, një bashkëpunim më i strukturuar ndërmjet MINTI-t, MPJD-së, përfaqësive diplomatike dhe sektorit privat është i rëndësishëm për rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të reja dhe adresimin e deficitit tregtar.

“Pas këtij diskutimi, në sesionin Business to Ambassador (B2A) vijuan takimet mes ambasadorëve dhe përfaqësuesve të bizneseve nga sektorë si teknologjia e informacionit, industria e drurit dhe prodhimi, agro-përpunimi, industritë kreative dhe filmi, si dhe turizmi, me qëllim krijimin e lidhjeve të reja, shkëmbimin e informacionit dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit. Tani është koha që këto diskutime ti kthejmë në iniciativa konkrete për të përshpejtuar transformimin e ekonomisë së Kosovës.”, ka shkruar ajo.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish