Presidentët e Maqedonisë dhe Serbisë, Stevo Pendarovski dhe Aleksandar Vuçiq, së bashku, e përshëndetën vendimin e KOS-it për njohjen e autoqefalisë së KOM-it. Ata u takuan shkurt në Davos, ku po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.
Pendarovski, në profilin e tij në Facebook, ka bërë të ditur se vendimi i Kishës Serbe do të kontribuojë në korrigjimin e padrejtësive historike.
“Besoj se i gjithë procesi i njohjes së autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit do të përfundojë me nënshkrimin e afërt të Tomosit nga Patriarku Ekumenik, Bartolomeu, i cili do të kontribuojë në përmbushjen e një prej interesave tona kombëtare dhe përparimin dhe pajtimin në shoqërinë maqedonase”, tha Stevo Pendarovski, president.
Kryeministri Kovaçevski nga Roma uroi njohjen e autoqefalisë.
“Sot është një ditë e madhe, historikisht, kur nderojmë vëllezërit Kirili dhe Metodi, për të marrë autoqefalinë e kishës sonë si të barabartë me të tjerët dhe si njohje të trashëgimisë së saj në madhështinë shpirtërore të Kryepeshkopatës së lashtë të Ohrit dhe si autentike, pjesë e identitetit maqedonas”, u shpreh Dimitar Kovaçevski.
Me mesazh urimi doli edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
“Një ditë e madhe për Kishën tonë të shenjtë Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopatën e Ohrit. Kisha jonë duhet të jetë e bashkuar, Sinodi ynë, kleri, ashtu siç duhet të jetë i bashkuar populli ynë dhe atëherë do të kapërcehen të gjitha tundimet, stuhitë dhe mundimet”, theksoi Hristijan Micksoki, kryetar i VMRO – DPMNE./alsat.mk