Emërimi i një prokurori të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë ndaj djalit të presidentit Joe Biden, Hunter po rikthen vëmendjen mbi rolin që këta prokurorë kanë luajtur në historinë moderne amerikane.
Të premten, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland caktoi prokurorin nga Delauer, David Weiss, i cili po heton aktualisht aktivitetet financiare dhe tregtare të djalit të presidentit, për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit.
Zoti Garland deklaroi se zoti Weiss i kishte thënë se “sipas gjykimit të tij, hetimet kishin arritur në një fazë, ku funksionet e tij të mëtejshme mund të vazhdojnë vetëm me statusin e Prokurorit të Posaçëm dhe ka kërkuar nga unë, që ta emëroj atë në një pozitë të tillë.”
Në janar, zoti Garland caktoi ish-prokurorin nga Merilendi, Robert Hur, për të mbikëqyrur hetimin e departamentit lidhur me dokumentet e klasifikuara që u gjetën në shtëpinë e presidentit aktual Joe Biden në Delauer dhe në një institut të tij në Uashington, pasi ai kishte mbaruar mandatin si nënpresident.


























