Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka thënë se Kosova duhet të shkojë me kërkesa maksimale në takimet për dialogun dhe se duhet të vendosë vijat e kuqe.
“Kemi hyrë në fazën serioze të dialogut ku kanë filluar përgatitjet për takimet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe vetë kjo vizitë ka këtë natyrë, pra atë parapërgatitore. Është mirë që dy përfaqësuesit vijnë së bashku, gjë që do të thotë se ka koordinim agjendash dhe bashkëpunimi. Është e qartë që përfaqësuesi i SHBA-së ka thënë se është palë mbështetëse e Kosovës dhe dialogut për një zgjidhje përfundimtare”.
“Besoj që do të ketë përfshirje edhe të niveleve më të larta në momentin kur të arrihet te faza finale. Fillimisht, do të jenë takimet e para do të shihet se çfarë pranohet dhe jo në agjendë. Dy emisarët kanë marrë qëndrimet e Kosovës se cilat janë qëllimet dhe vijat e kuqe në këtë dialog”.
Lama në Sytë 7 të Klan Kosovës ka thënë se nëse nuk ka njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë s’do të ketë edhe zgjidhje të suksesshme të konfliktit Kosovë-Serbi
“Kosova duhet ta hedhë poshtë kategorikisht çfarëdo ndryshimi të brendshëm kushtetues. Serbia s’do të heqë dorë nga Kosova, por ne s’duhet të heqim dorë nga territori”.
Ish-deputetja ka thënë gjithashtu se partitë shqiptare duhet të gjejnë forcën dhe kurajën dhe të bashkëpunojnë në një çështje të tillë të rëndësisë së lartë.