Njësitë ushtarake ruse, të cilat u dërguan në Bjellorusi për stërvitje të përbashkëta, do të kthehen në vendet e tyre kur të lind nevoja, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Bjellorusisë, Viktor Gulevich, transmeton Kosova Post.
“Njësitë e Forcave të Armatosura të Rusisë do të kthehen në vendet e tyre të përhershme vetëm kur të ketë një nevojë objektive për të dhe kur ne të vendosim vetë. Kjo është ekskluzivisht çështja jonë e brendshme”, tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm, njoftoi shërbimi për shtyp i Ministrisë së Mbrojtjes së Bjellorusisë.
Ai, gjithashtu theksoi se kthimi i njësive të forcave ruse në Rusi “do të varet kryesisht nga kolegët perëndimorë”.
“Forcat dhe burimet e dislokuara në rajonin e Evropës Lindore, pranë kufirit shtetëror të Bjellorusisë, janë një nga faktorët që ndikojnë në zhvillimin e mëtejshëm të situatës,” tha Gulevich.
Tutja tha Gulevich, se “për sa i përket rritjes së aktiviteteve ushtarake në kufijtë e jashtëm të Shtetit Federal të Rusisë dhe Bjellorusisë dhe përshkallëzimit të situatës në Donbas, presidentët e Rusisë dhe Bjellorusisë vendosën të vazhdojnë kontrollin e forcave të reagimit të Shtetit Federal”, shkruan sputnik. Stërvitjet e përbashkëta ushtarake bjelloruse-ruse “Përcaktimi Aleat 2022” u zhvilluan në territorin e Bjellorusisë nga data 10 deri më 20 shkurt, në kuadër të inspektimit të forcave që reagojnë ndaj Shtetit Federal.