Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka uruar 13 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shkruan Kosova Post.
Limaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ne do të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga përkushtimi për atdheun tonë, Kosovën.
“Do të punojmë fuqishëm që t’i japim sa më shumë zë, mundit dhe sakrificës së njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë angazhuar për të realizuar ëndrrën tonë shekullore”, ka shkruar Limaj në Facebook.
Postimi i plotë:
Kryetari Limaj uron qytetarët për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës!
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sot bëhen 13 vjet nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, e cila shënon të arriturën më të madhe në historinë e shtetit tonë.
Shpallja e Pavarësisë 13 vite me parë është kurorëzim i përpjekjeve të popullit shqiptarë, që kulmuan me luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari dhe mijëra dëshmorë tjerë.
Kjo ditëlindje e 13 e Kosovës sonë të Pavarur, është e para që e presim pa një pjesë të bashkëluftëtarëve tanë, që sot padrejtësisht ndodhen në Hagë.
Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga përkushtimi për atdheun tonë, Kosovën. Do të punojmë fuqishëm që t’i japim sa më shumë zë, mundit dhe sakrificës së njerëzve të këtij vendi, të cilët me dekada e shekuj janë angazhuar për të realizuar ëndrrën tonë shekullore.
Në këtë ditë historike shprehim mirënjohje dhe u jemi përherë falënderues miqve tanë ndërkombëtarë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët në çdo moment kanë qenë krah mbështetës në rrugëtimin tonë drejt Pavarësisë dhe si shtet, e që fatmirësisht si të tillë vazhdojnë të jenë.
Lavdi dëshmorëve të Kombit!
Urime 13 vjetori i Pavarësisë!