Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është liruar nga paraburgimi me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Të njëjtit masa e paraburgimit i është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar KEK-ut dhe personave të punësuar në këtë korporatë, në afërsi prej 50 metrave.
Kështu bëri të ditur zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me masën kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”.
“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë”, thuhet në përgjigjen e Gashit.