Fluturimi i dronëve turq mbi tokën shqiptare, çelja e Universitetit Teknik të Stambollit në Shqipëri dhe ndërtimi këtu i një fabrike me 7 lloje vaksinash, ishin 3 lajmet që kryeministri Edi Rama dha nga Turqia.
Nga takimi me Presidentin Erdogan u shpërndanë vetëm këto foto, ndërsa Rama u kujdes të sqaronte se nuk bëhet fjalë për dronë ushtarakë, por për kontrollin e territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, etj.
Për fabrikën e vaksinave shkroi edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa ai i Rindërtimit, Arben Ahmetaj mori mbështetje nga homologu turk për vazhdimin e punëve, ku Turqia ndërton banesa në disa zona të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, mori garanci për çeljen në Shqipëri të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit, ndërsa është në plan edhe fakulteti i ardhshëm i mjekësisë dhe infermierisë pranë Spitalit Rajonal Memorial të Fierit.a2news.