Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave (BQPS) raportoi sot se mbi 800 mijë palestinezë mbeten në qytetin e rrethuar të Gazës dhe zonat veriore, pavarësisht operacioneve të vazhdueshme shkatërruese tokësore izraelite, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
BQPS tha në një deklaratë tha se kjo shifër tregon se “dy të tretat e popullsisë së zonës veriore ende banojnë në zonat veriore të Rripit të Gazës”.
Më tej thekson se palestinezët vendosën të qëndrojnë në pjesët veriore të enklavës “pavarësisht brutalitetit barbar të bombardimeve të okupatorit izraelit, që çoi në vrasje masive të civilëve në shtëpitë e tyre dhe në shkatërrimin e ndërtesave të banimit dhe të gjitha objekteve civile, përfshirë spitale, shkolla, vende kulti, furra buke dhe objekte”.
Një e treta e popullsisë ose 400 mijë palestinezë në pjesët veriore të Gazës janë zhvendosur në jug të Gazës, thuhet në deklaratë, duke shtuar se “Popullsia që aktualisht banon në pjesët qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës (përfshirë Deir Al-Balah, Khan Younis dhe Rafah) është 1.43 milion banorë”.
Që nga 7 tetori, ushtria izraelite intensifikoi sulmet e saj në Gazën veriore duke rezultuar në shkatërrime masive të infrastrukturës civile, spitaleve, xhamive, kishave dhe zonave të tëra të banuara.
Të paktën 11.500 palestinezë janë vrarë që atëherë, përfshirë më shumë se 7.800 gra dhe fëmijë dhe më shumë se 29.200 janë plagosur, sipas shifrave të fundit nga autoritetet palestineze.
Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200, sipas shifrave zyrtare.