Mijëra njerëz demonstruan në Tel Aviv për shkak të rritjes së kostove të jetesës dhe organizatorët e protestës paralajmëruan se ky ishte vetëm fillimi.
Siç u tha, protesta e mbrëmshme nuk ka lidhje me asnjë organizim politik, dhe kërkesa e vetme është që qeveria t’i përgjigjet rritjes së çmimeve, pasi raportet e fundit tregojnë se izraelitët paguajnë më shumë për nevojat elementare sesa evropianët.
Gjatë protestës, në një stendë ofroheshin pako me ushqime me çmim relativisht të ulët dhe qytetarët mund t’i blinin vetë ose t’ua dhuronin atyre që kishin nevojë.
Zemërimi i publikut në Izrael është rritur javët e fundit pas rritjes së çmimeve të benzinës, energjisë elektrike dhe mallrave bazë. Për shkak të kësaj, disa prodhues dhe importues të mëdhenj kanë shtyrë ose kanë hequr dorë nga rritja e çmimeve.
Javën e kaluar, qeveria njoftoi një plan për të ulur taksat për familjet që punojnë dhe për të ulur çmimet e energjisë dhe ushqimeve bazë. Është bërë e ditur se do të ulen tarifat për më shumë produkte të importuara, përfshirë ushqimin dhe mobiljet.
Do të hiqen taksat doganore për mishin e viçit, peshkun, ushqimet e detit, tonin e konservuar, salçiçet, frutat e thata, ëmbëlsirat dhe miellin. Ndër të tjera do të hiqen edhe tarifat për materialet e ndërtimit dhe infrastrukturës, pjesët e automjeteve dhe nevojat shtëpiake.
Masat duhet të miratohen nga ministri i financave Avigdor Lieberman që ato të hyjnë në fuqi dhe ai njoftoi ngritjen e një komisioni për të hetuar se si të rritet konkurrenca në tregun ushqimor.
Rritja e çmimit është paralajmëruar që në tetor dhe vetëm këtë muaj qeveria e kuptoi se duhej të përgjigjej pas presionit të medias dhe publikut.
Në dhjetor të vitit të kaluar, gazeta Economist raportoi se Tel Avivi ishte qyteti më i shtrenjtë në botë, duke përmendur fuqinë e monedhës vendase, shekelin dhe rritjen e çmimeve të ushqimit dhe transportit.