Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas vizitës në QKUK te të lënduarit e shpërthimit në Mitrovicë, ka shkruar se stafi mjekësor është në mobilizim të lartë.
“Ende jemi në Klinikën Emergjente në QKUK, bashkë me mjekët, infermierët dhe stafin tjetër. Të gjithë ishin e ende janë në mobilizim e angazhim të lartë prej shumë orësh. Po ofrohet kujdesi i plotë e profesional për të lënduarit”, ka shkruar i pari i shëndetësisë.
Tutje ai ka uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.
“Mjekët janë duke bërë gjithçka për të mënjanuar çdo rrezik për jetën. Përpjekjet vijojnë dhe në këto çaste. Uroj me gjithë zemër që të gjithë të lënduarit ta kalojnë këtë gjendje sa më parë”, ka shkruar Vitia.
15 persona janë lënduar si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në Kçiq të Mitrovicës. 14 nga ta kanë marrë djegie të shkallës së dytë e të parë, ndërkaq njëri ka marrë lëndime në gjoks. Katër nga ta aktualisht janë në mjekim intensiv, ndërkaq të tjerët janë transferuar në klinika të ndryshme në QKUK.


























