Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka prezantuar masat për subvencionim të pajisjeve efikase për ngrohje për qytetarët në vlerë prej 6 milionë eurove, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë subvencionim, ministria synon të ndihmojë rreth 10 mijë familje duke kursyer mbi 12 milionë euro nga buxheti i shtetit të cilat do të harxhoheshin në konsumin e energjisë elektrike dimrin që po vjen.
Pajisjet që do të subvencionohen përmes kësaj thirrjeje përfshinë kaldajat me biomasë (dru, pelet, briket) dhe do të subvencionohen në masë deri në 70 për qind të vlerës së investimit apo 1.200 euro. Pompat termike gjithashtu do të subvencionohen 30 për qind apo deri në 2.500 euro, kondicionerët efikas me 40 për qind të vlerës apo deri në 400 euro dhe stufat individuale efikase me biomasë me 90 për qind apo 560 euro (për familjet në skema sociale) dhe 70 për qind apo 435 euro për të tjerët.
Ministrja Rizvanolli tha se aplikimi për të marrë këtë ndihmë do të realizohet online përmes platformës ‘E-Kosova’.
“Qëllimi i këtyre masave është i dyfishtë, që të ndihmojmë familjet që dëshirojnë të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike me alternativa të tjera si peleti, druri, briketi ose pajisje elektrike që shpenzojnë 60 deri 70 për qind më pak energji elektrike. Qëllimi i dytë është që të ndihmojmë të gjitha familjet, pavarësisht se me çfarë ngrohen dhe veçanërisht familjet me kushte të vështira ekonomike për të pasur efiçiencë më të lartë”, theksoi Rizvanolli.
Ministrja kosovare tha se si rezultat i këtyre masave presin rreth 70 për qind ulje të konsumimit të energjisë elektrike në këto rreth 10 mijë familje të cilat harxhojnë për ngrohje.
Më tej, Rizvanolli theksoi se subvencionimi përmes kësaj thirrje ju mundëson qytetarëve të blejnë pajisje me nivel të lartë të efikasitetit, që ndikon direkt në reduktimin e kërkesës për energji elektrike dhe rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve për nevojën e kursimit të energjisë.