Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar presidenten e re të zgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.
Përmes një postim në platformën “X”, e para e shtetit ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë raporte të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë angazhim të fortë për integrim evropian.
“Urime për Gordana Silanovska-Davkova për fitoren në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut, dhe që u bë presidentja e parë grua e vendit. Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë raporte të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë angazhim të fortë për integrim evropian. Mezi pres të punoj me presidenten e zgjedhur për ta arritur këtë qëllim të përbashkët dhe t’i thellojmë marrëdhëniet mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Osmani.
Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.
Në balotazh, Silanovska-Davkova fitoi 363.085 vota, derisa Pendarovski 180.499 vota.