Komisioni për Legjislacion, mandate, imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mbledhjen e mbajtur të martën ka shqyrtuar dhe miratuar raportet e Komisioneve kryesore për Projektligjin për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe e ka proceduar për shqyrtim në seancë plenare.
Pro raporteve kanë votuar gjashtë deputetë të pushtetit, kurse deputetët e opozitës nuk kanë marr pjesë në votim.
Vërejtje për raportet ka adresuar anëtari i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)Driton Selmanaj, i cili ka thënë se në këto ato përmbajnë vlerësime abstrakte për byronë.
Mirëpo, kryetari i komisionit për legjislacion, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Adnan Rrustemi, ka thënë se këto vlerësime janë të komisioneve të tjera, të cilat ata nuk mund t’i komentojnë.
Komisioni në mbledhjen e së martës ka miratuar në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mjekësinë ligjore.