Mishetiç kundërshton Marta Kos: Nuk të takon të paragjykosh në rastin e Thaçit

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, ka reaguar ndaj deklaratës së Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila i ka cilësuar Dhomat e Specializuara të Kosovës si institucion gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur.

Mishetiç, përmes një postimi në rrjetin social X, ka kundërshtuar këtë vlerësim, duke thënë se paanshmëria e Dhomave të Specializuara në rastin e Thaçit ende duhet të përcaktohet.

“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit, kjo ende mbetet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kosit që ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mishetiç.

Avokati i është referuar edhe raportit të Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), duke thënë se raporti ka ngritur pikëpyetje lidhur me paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues.

Në një postim tjetër, Mishetiç ka ngritur pretendimin lidhur me përfshirjen e Thaçit në vrasjen e Behajdin Allaçit.

“Pretendimi se Hashim Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaçit bazohet në prova tmerrësisht të dobëta, prova të cilat gjyqtarët kanë urdhëruar që të mos i nënshtrohen kurrë shqyrtimit publik”, ka shkruar ai.

Në postimin e tij, Mishetiç ka përfshirë edhe një deklaratë të gazetarit Mark Dickinson. Sipas Dickinsonit, aktgjykimet e Dhomave të Specializuara janë bazuar kryesisht në çështje që lidhen me përgjegjësinë komanduese.

“Ekziston një përjashtim, ku pretendohet se Thaçi dhe një tjetër i akuzuar kanë qenë të pranishëm kur një i arrestuar është nxjerrë me pranga dhe nuk është parë më kurrë”, thuhet në deklaratën e Dickinsonit.

Raporti i BHRC-së, i porositur nga Avokati i Popullit të Kosovës, trajton çështje që lidhen me të drejtën për gjykim të drejtë, pavarësinë gjyqësore, barazinë e armëve dhe çështjet e provave.

Dhomat e Specializuara kanë kundërshtuar disa interpretime të raportit, duke theksuar se dokumenti nuk konstaton se ndonjë vendim i gjyqtarëve të tyre ka shkelur të drejtat e të akuzuarve.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish