Ratko Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë së Republika Srpska-s, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera lufte gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ka vdekur në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë.
Mlladiqi u shpall fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve e zakoneve të luftës. Ai është një prej figurave kryesore të luftës në Bosnje e Hercegovinë dhe është dënuar për përgjegjësinë e tij në krimet e kryera gjatë luftës.
Për vite me radhë, në Serbi figura të dënuara për krime lufte janë glorifikuar në qarqe të ndryshme politike dhe nacionaliste, ndërsa emrat e tyre janë përdorur edhe në emërtimin simbolik të rrugëve dhe bulevardeve.
Një prej rasteve më të përfolura lidhet me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në maj të vitit 2007, në Beograd, qindra anëtarë të Partisë Radikale Serbe (SRS), pjesëtarë të lëvizjes “Obraz” dhe tifozë të grupit “Familija” morën pjesë në një aksion ku u vendosën postera me emrin “Bulevar Ratka Mlladiqit”.
Në atë kohë, Vuçiq, atëherë zyrtar i Partisë Radikale Serbe, iu drejtua të tubuarve përmes megafonit dhe vendosi edhe vetë një tabelë me emrin “Bulevar Ratka Mlladiqit” në një ndërtesë të Beogradit.
“Ky është mënyra jonë për të treguar se nuk mund të na frikësojnë dhe se liria ka qenë dhe mbetet gjëja më e rëndësishme për Serbinë. Le të vijnë të na arrestojnë edhe ne”, kishte deklaruar Vuçiq në atë kohë.
Aksioni ishte pjesë e një fushate të radikalëve serbë për promovimin e Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit, të dy figura kyçe të strukturave serbe të Bosnjës gjatë luftës. Sot, Vuçiq është president i Serbisë, ndërsa Mlladiqi ka vdekur në Hagë, ku po vuante dënimin e përjetshëm për krimet e luftës./rtk


























